Besnik Prenga, trajneri i Laçit, e ka nisur me fitore në krye të kurbinasve. Triumfi i parë në Superiore, por vetëm 20 minutat e para e kënaqin teknikun e bardhezinjve. Në emisionin “Gol pas Goli” ai analizoi takimin me Tiranën.
FITORJA – “Nuk besoj se i kam ndryshuar diçka, si fizikisht apo taktikisht. vetëm fillimi ishte ndryshe, nisëm më vrullshëm. Jam i kënaqur vetëm me 20 minutat e para, më pas e morëm ata kontrollin. Në pjesën e dytë na rrezikuan, na shpëtoi portieri. Selmani ishte më i miri në fushë. Kur shikoj tabelën, me dëshirën që ka, më habit që është në këto pozita. Ka edhe një trajner të mirë. Na ndihmoi Zoti dhe portieri sot. Pas minutës së 20-të nuk jam i kënaqur”.
MERKATO – “Kam thënë që pas dy ndeshjesh do ketë merkato. Nuk mund të them ku jam i pakënaqur. Karakteri i lojtarëve dhe dëshirave më bëri të kthehem. Pas ndeshjes tjetër mund të flasim për lëvizjet”.
FUSHA – “Stërvitja në fushë me bar sintetik? I kam kërkuar presidentit që të stërvitem me bar natyral. Ishte ndeshje tjetër nga ajo që kemi praktikuar. Në këtë terren vendos dëshira dhe jo cilësia. Gjithmonë trajnerit të ri i ecën, ka fatin e budallait. Ishalla vazhdon edhe më tej”.
GODITJET – “Lojtarë nga Kroacia për Laçin? Nuk dua të merrem. Kam piketuar shumë dhe nuk kam piketuar asnjë. Lojtarët e mi i kam të mrekullueshëm deri të dielën”.
SULMUESI – “Altiparmakovski? Këto dy ditë jam munduar të ndjej modulin. Bëra një zëvendësim të detyruar. Nuk bëra zëvendësime, edhe pse duheshin. Ata që janë në stol duhet të bëjnë mirë në stërvitje dhe të meritojnë të luajnë”.