Prenga: Kemi një stol të brishtë, skuadra e parë më bindi sot

Laçi pësoi një disfatë në testin miqësor ditën e sotme ndaj Teutës, në një sfidë, që u luajt në Durrës dhe përfundoi me shifrat 2-0. Pas ndeshjes, tekniku i kurbinase, foli për “Sporteskpres.com”. Besnik Prenga analizoi ndeshjen si dhe tregoi se stoli i Laçit është i brishtë dhe i nevojiten përforcime për të rritur rivalitetin në skuadër.

Ndeshja – “Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e skuadrës sot, ndoshta kjo ishte ndeshja më e mirë për ne në këto miqësore, pasi luajtëm kundër një kundërshtari shumë agresiv. Ndeshja ishte për të dy trajnerët për të parë sesa kanë punuar në këtë minifazë përgatitore, që të them të drejtën ishte shumë i shkurtër”.

Forma e ekipit – “Unë me atë që pashë, vura re që ekipi im është në rritje dhe shpresoj që me një ose me dy përforcime, ekipi do të jetë konkurrent përgjatë gjithë kampionatit”.

Ndeshja me Kukësin – “Nuk mendoj se do të luajmë të tërhequr përballë Kukësit. Fusha ku luajtëm sot ishte siç ishte, shumë e vogël dhe futbollistët kishin me shumë kontakte seç duhet. Kishte shumë ndërhyrje të forta, të cilat edhe pse pa qëllim, mund të çonin në dëmtime të panevojshme. Pavarësisht rezultatit, unë jam i kënaqur me skuadrën, pasi kur të dyja ekipet kishin formacionet e duhura në fushë, nuk kishim diferenca”.

Rënia e skuadrës pas zëvendësimeve – “Jam i zhgënjyer, por ne e dimë që kemi nevojë për lojtarë. Formacioni i parë luajti shumë mirë, jam shumë i kënaqur me to, por mos harroni që ne kishim edhe mungesa. E dimë që e kemi stolin të brishtë, e kam thënë gjithmonë që na duhen 2-3 përforcime, jo për të forcuar skuadrën, por për të rritur rivalitetin.

Merkato – “Dihet se kjo merkato është shumë e vështirë për të gjetur lojtarë cilësorë, unë jam kërkues te lojtarët e huaj që vijnë. Në rast se janë më cilësorë se lojtarët tanë, po, por në të kundërt, nuk bëj merkato sa për të thënë”.

Gjoni dhe Najdenov – “Gjoni dhe Najdenov janë lojtarë titullarë dhe cilësore, me ardhjen e tyre dhe me portierin që vendosëm ta linim pushim, ekipi do të marrë një fytyrë tjetër”,- përfundoi Prenga.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *