Mesfushori i rikthyer në Shkodër ka besim se kuqeblutë do të tregojnë një tjetër “fytyrë” këtë sezon. “Shiriti? Do mundohem t’ua shpërblej të gjithëve”
Gilman Lika, një nga emrat e spikatur të futbollit shkodran, që krahas Vllaznisë ka kontribuar edhe me skuadra të tjera, brenda dhe jashtë vendit, shprehet optimist për sezonin e ri futbollistik, duke thënë se do të jetë një Vllazni krejt ndryshe nga ajo e viteve të fundit. “Kur kthehesh në shtëpinë tënde, natyrisht që është një gjë shumë e mirë. Por, normalisht që nuk kam ardhur thjeshtë për të parë shtëpinë time, por kam ardhur për të bërë diçka të bukur së bashku me shokët e ekipit. Pra, minimumi i minimumit, besoj se nuk do të jetë më ajo Vllazni siç ka qenë vitet e fundit për mbijetese. Shpresoj shumë dhe jam i bindur se një gjë e tillë do të realizohet në vitin që vjen, duke qenë i bindur se publiku shkodran ka për të parë një Vllazni të bukur në fushën e lojës”, shprehet Lika. Sipas mesfushorit, edhe pse kushtet nuk kanë qenë ideale, skuadra ka punuar me përkushtim dhe seriozitet maksimal gjatë përgatitjeve në Shkodër. “Kemi bërë hapa shumë pozitivë, duke parë këto ndeshjet e fundit. Normalisht që na duhet edhe një shtysë, apo një marsh tjetër për të ruajtur atë ritmin e duhur. Me fillimin e kampionatit, Vllaznia do të jetë gati”, vijon Lika deklaratën e tij. Në lidhje me ditët përgatitore malazeze, Lika thotë se nuk është shumë i sigurt se sa do të qëndrojnë, por pak a shumë thotë se do të jetë një kohë dhjetë ditore. ”Është diçka shumë pozitive, sepse të them të drejtën kemi vuajtur shumë këto ditë që jemi stërvitur në Shkodër, pasi siç e keni parë edhe vete temperaturat kanë qenë shumë të larta”, thotë Lika, që shpreson se me rikthimin nga Berane skuadra do të jetë shumë më e fortë dhe e konsoliduar.
GJENDJA
Forma sportive akoma nuk është aty ku duhet, si për Likën, ashtu edhe për pjesën tjetër të skuadrës, por në ditët në vazhdim parametrat do të përmirësohen. “Normalisht që nuk jam shumë i kënaqur me formën time sportive, por jam duke punuar fort. Në fazë përgatitore asnjë lojtar nuk është se ka formën maksimale, por duke parë edhe kohën që kemi në dispozicion, besoj se për dy-tre javë, si niveli im, po ashtu edhe i lojtarëve të tjerë, do të rritet shumë”, shprehet Lika. Duke folur për miqësoret e zhvilluara, mesfushori thotë: “Është normale dhe nuk ka dyshim që ne nuk jemi në atë ritmin e duhur, por besoj se ekipi është në rrugën e duhur për të arritur ato objektiva që drejtuesit do të na vënë ne. Mendoj se është një gjë normale, pavarësisht rezultatit të ndeshjes së fundit me Besëlidhjen. Ekipi ka zhvilluar ndeshje të mirë, ka dominuar ndeshjen totalisht, duke krijuar raste të shumta përpara portës, jo vetëm në këtë ndeshje, por në tre-katër ndeshjet e fundit. Kur krijon 3-4 raste për një pjese loje, besoj se është diçka pozitive”, thekson Gilman Lika.
SHIRITI
Largimi i kapitenit Ndriçim Shtubina te Kukësi, për momentin hapi një diskutim, më tepër mediatik se sa problematik për skuadrën. Gjithçka lidhej me atë që do të pasonte Shtubinën si kapiten. Në dy ndeshjet e fundit miqësore, atë me Tërbunin dhe Besëlidhjen, shiritin e ka mbajtur pikërisht Gilman Lika. “Është e vërtetë që në këto dy ndeshje, trajneri ma ka dhënë mua shiritin e kapitenit. Gjej rastin ta falënderoj, pasi më ka dhënë edhe një besim të madh. Por, në të njëjtën kohë më jep edhe një përgjegjësi shumë të madhe, ndaj do të mundohem të bëj maksimumin që t’ia shpërblej këtë gjë trajnerit, drejtuesve dhe të gjithë tifozëve shkodranë”, thotë Lika, duke mos e fshehur kënaqësinë që stafi me në krye teknikun Cungu ia ka besuar një detyrë të tillë. Ndërkohë, për një diskutim tjetër, atë që ka të bëjë me dendësinë e futbollistëve mesfushorë në gjirin e skuadrës kuqeblu, temë që vazhdon të lakohet jo pak edhe në opinionin sportiv, Lika nuk e sheh si problem një gjë të tillë, përkundrazi thotë se është avantazh për trajnerin. “Po, e drejtë është, janë shumë lojtarë në mesfushë, por besoj se është pozitive. Edhe kjo ka avantazhin e vet, sepse është edhe në shërbim të grupit kur ka një gjë të tillë. Çdo trajner në botë besoj se do të kërkonte që të kishte sa më shumë alternativa, pasi kampionati është shumë i gjatë. Siç e keni parë edhe vjet, ka dëmtime, ka kartonë dhe ka shumë lojtarë që mund të vijnë me probleme, ndaj skuadra ka nevojë për të gjithë”, përfundon Lika.