Presidenti i kampionëve nuk do të kursehet për kualifikimin, duke u lënë në dorë lojtarëve një çek të bardhë
Jurgen Zela
Kualifikimi është një mision mjaft i vështirë por jo i pamundur. Rezultati i ndeshjes së parë, por dhe loja e mirë e zhvilluar në 45 minutat e para shtojnë besimin se verilindorët mund të marrin një rezultat që t’i katapultojë në raundin e ardhshëm. Nuk ka kohë për pushim dhe lojtarët menjëherë kanë rinisur përgatitjet, për një nga ndeshjet më të rëndësishme të Kukësit në historinë e vet.
PREMIO
Kur bëhet fjalë për sukses, numri 1 i skuadrës së Kukësit, Safet Gjici nuk është kursyer asnjëherë, duke bërë dhe “çmenduri” me shifrat e mëdha. Kujtojmë këtu premion 50 mijë euro të akorduar pas barazimit me Partizanin në fazën e katërt të kampionatit. Në Champions League, historia duket e njëjtë dhe shpërblimi nuk do të mungojë. Një malore e madhe përpara por që nëse kalohet me sukses lojtarët do i gëzohen dhe shpërblimit financiar. Një skemë e njohur,mbetet ajo e shifrës që do të akordohet, pasi bosi i Kukësit kërkon vetëm kualifikimin, në këmbim të një çeku pa shifër, gati për t’u firmosur nga vetë lojtarët. Do të jenë protagonistët ata që do të caktojnë shifrën që do ta konsiderojë si shpërblim të punës së tyre nëse do të arrijnë kualifikimin. Edhe pse ka qenë i zhgënjyer në rezultatin e takimit të parë, loja i ka lënë një shije pozitive, çka e ka shtyrë që t’i motivojë të tijtë akoma dhe më shumë.
STADIUMI
Ka nisur me vrapime në kodrat e liqenit përgatitja e Kukësit për ndeshjen e kthimit. Natyrisht, udhëtimi sfilitës ka bërë që stafi teknik të programojë një seancë jo shumë të ngarkuar për të vijuar në ditët e ardhshme në fushat e blerta. Stadiumi “Elbasan Arena” ku do të zhvillohet ndeshja e kthimit mes Kukësit dhe Sherifit është me bar natyral, çka i ka bërë kuksianët që të shohin për një tjetër destinacion ku të zhvillojnë stërvitjen. “Sport Ekspres” mëson se verilindorët janë në bisedime me drejtuesit e Tiranës që këto ditë t’i zhvendosin në “Selman Stërmasi” përgatitjet. Kushtet mjaft komode dhe fusha me bar natyral janë ideale për të përgatitur një ndeshje të një rëndësie të tillë. Nëse drejtuesit do të arrijnë një marrëveshje, që sot Kukësi mund të zbresë në stadiumin e kryeqytetit.
PROGRAMI
Me të arritur në Tiranë,drejtuesit kanë nisur planifikimin e agjendës për ndeshjen e kthimit. Lojtarët janë lënë të lirë këto ditë, por me shumë gjasa duke nisur nga e diela, kuksianët do të nisin grumbullimin, për t’u akomoduar në një nga hotelet në periferi të Kukësit. Mësohet se është programuar që nisja drejt Elbasanit të bëhet vetëm një ditë para ndeshjes. Distanca mes Tiranës dhe Elbasanit është e vogël, çka nuk do të shkaktojë lodhje të madhe tek futbollistët.