Në ndeshjen e kaluar në transfertë me Apoloninë, skuadrës beratase i ishte premtuar një premio në rast fitoreje. Por me gjithë dëshirën apo edhe përpjekjet që bënë futbollistët në atë takim, fitorja mbeti vetëm dhe thjesht një dëshirë, ashtu sikundër edhe premio që u ishte premtuar nga ana e klubit dhe presidencës.
Mirëpo nga sa është mësuar së fundi në kampin e skuadrës beratase, duket se premio do të mbetet ende në fuqi si një premtim nga klubi për ndeshjen e radhës ndaj Bylisit, që do të zhvillohet këtë fundjavë në Berat.
Do të jetë një tjetër rast për futbollistët beratas, që do të shërbejë si një motivim shtesë për të thyer një kundërshtar mjaft cilësor dhe me pretendime si Bylisi.
Pse jo, pritet që futbollistët e Tomorit të kenë rastin që nëpërmjet fitores së mundshme, të kompensojnë edhe gjobën që u vendosi klubi muajin e kaluar, kur iu mbajtën 30% të pagave mujore. Për këtë arsye, fitorja për Tomorin do të kishte vlera të dyfishta për futbollistët beratas, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë ekonomik.
Edi Spahiu