“Kemi nevojë për mbështetjen e tyre. Ata do jenë në stadium dhe shpresoj t’i shpërblejmë me një fitore”, u shpreh Artim Pollozhani gjatë konferencës së sotme për shtyp, ndërkohë që lojtari polivalent foli për tematika të ndryshme. Fillimisht fokusi ishte te Kastrioti, për të kaluar te ngjitja në renditja, situata në skuadër dhe problemet me arbitrat. Kapiteni i vlonjatëve foli edhe për ananë financiare dhe largimet nga ekipi.
KASTRIOTI – “Duke pasur parasysh pikët e marra, ata kanë bërë mirë. Ata ishin të shthurur në dy fazat e para. Mbase është meritë e trajnerit dhe e afrimeve të reja që kanë bërë. Kanë marrë 10 pikë së fundmi dhe duhet respekt maksimal, pasi ata janë në formë. Nuk duhet ta mbivlerësojmë, do futemi në fushë për të marrë tre pikët dhe për të shkuar përpara”.
SITUATA ME MUNGESAT – “Deliaj është kthyer me grupin. Kale ka pasur një problem shëndetësor, besoj se luan. Sot do kthehet në stërvitje dhe besoj se nesër luan. Sigurisht duke e parë gjendjen e tij, po unë besoj dhe shpresoj që Kale do jetë në ndeshje”.
RIVALËT – “Skënderbeu luan me Teutën dhe kemi një mundësi për t’u ngjitur na klasifikim. Shpresoj të jetë një ndeshje si këto që kemi bërë në janar dhe të marrim pikët maksimale. Kastrioti është në situatë të mirë, por duke i parë ndeshjet, pa futur pikët, edhe ne jemi në një moment të mirë. Do jetë ndeshje e bukur. Shpresojmë dhe shkojmë për tre pikët”.
PROBLEMET FINANCIARE – “Është e disata herë që ju them se nuk na takon ne futbollistëve të flasim për situatën financiare. U takon drejtuesve. Jemi këtu të flasim për ndeshjen e radhës. Çdo javë pyetemi për këtë gjë. E keni marrë një përgjigje nga drejtuesit. Nëse u është thënë këto ditë, nëse nuk ka një datë të saktë, do të thotë që do të zgjidhen problemet këto ditë”.
LARGIMET – “Po t’i shikoni ndeshjet e fundit, Flamurtari të jep përshtypjen se luan mirë edhe pa ato largime. E thashë, ishin lojtarë cilësorë që ne na prishin punë. Nëse e marrim që ne tani jemi mirë dhe si do ishim me lojtarët e larguar, mund të ishim edhe pretendentë për titull. Nuk do flisnim për të tilla gjëra, por do shikonim a do fitojë Partizani me Tiranën, që t’i afroheshim, apo a do na afroheshin. Nuk mund të paragjykosh, ‘ej do ishim këtu’. Mund të ishim edhe më keq me ata që ikën. Mua më gëzon fakti, që ekipi pavarësisht largimeve, luan futboll”.
PROBLEMI I MADH – “Ne kemi vështirësi nga arbitrat. Kam një vit e gjysmë këtu dhe nuk kam parë kurrë në jetën time kaq gabime njerëzore nga arbitrat. Nuk dua t’i hyj asaj pjesë, por ndikon te psikologjia e futbollistëve, ndikon te rezultati i ndeshjes, si dhe te objektivat e klubit. Në fund fajtorë dalin futbollistët dhe ky është pengu im. Të gjitha harrohen. Analistët thonë që jemi dëmtuar, por pastaj jemi ne fajtorët në fund. Këtë nuk e pranoj dot”.