Artim Pollozhani, mbrojtësi qendror i Flamurtarit, para ndeshjes me Laçin foli për mediat dhe vlerësoi maksimalisht kurbinasit: “Ekziston mundësia të fitojmë. Është ndeshje e vështirë, por pas kësaj kemi një trepikësh me Kamzën. Me Laçin gjithmonë kanë qenë ndeshjet e vështira, gjithmonë ka qenë një rezultat i ngushtë. Shpresoj dhe besoj se nëse japim maksimumin, mund të shkojmë te fitorja dhe të ngjitemi edhe më lart”.
Kohët e fundit vlonjatët i kanë shqetësuar mungesat. Me kontingjentin jo të plotë, çdo lojtar që nuk mund të luajë i penalizon shumë: “Duke pasur parasysh grupin e lojtarëve, një mungesë konsiderohet e madhe. Nesër mungojnë Franci e Sukaj, shpresoj që ata që i zëvendësojnë të japin më të mirën dhe të ndihmojnë ekipin për të arritur objektivin”.
MOTIVIMI – “Kur je futbollist e ndjen vetë motivimin. Nuk përshkruhet dot, kur del në fushë nuk të shkon mendja je paguar apo jo. Mundohesh për më të mirën, futbolli nuk mbaron pas një jave, apo nesër që është ndeshja e fundit para tifozëve tanë. Çdokush mendon për një të ardhme më të mirë. Ky është shkaku kryesor që të gjithë japin maksimumin. Ata e duan futbollin dhe japin maksimumin”.
PAGAT DHE E ARDHMJA – “Nuk kemi çfarë themi për pagat. Është folur shumë për premtime e garanci. Nuk e di a ka garanci më të madhe se kontrata, e zeza mbi të bardhë? Ajo është garancia më e madhe në klub. Detyrimet janë dypalëshe. E ardhmja? Çdo lojtar do bisedoje me drejtuesit. Ato janë punë të klubit. Ata bëjnë analizën e tyre dhe flasin me lojtarët. Secili do dëgjojë ofertën dhe do japë kushtet. Nëse do ketë dakordësi, pse jo”.