Polemika Salvini-Gatuzo, ‘zbutet” politikani: Po flisja si tifoz, kam respekt për Rinon

Goli i argjentinasit Korrea në minutat shtesë i dha një pikë të artë Lacios dhe i hoqi dy të tilla Milanit. Të dy ekipet luftojnë për të arritur në Champions, por ndeshje e zhvilluar në “Olimpico” nuk pati fitues.

Një gjë e tillë i ka mërzitur të gjithë në kampin milanist, sidomos zëvendëskryeministrin e Italisë. Flasim për Mateo Salvinin, i cili është një tifoz i zjarrtë i ekipit të “djallit”. Ai nuk nguroi të kritikonte Xhenaro Gatuzon pas barazimit kundër Lacios. Trajneri vendosi t’i besonte titullarëve deri në fundin e ndeshjes, duke mos kryer asnjë zëvendësim.

Gatuzo është shumë kokëfortë. Duhet të kishte kryer zëvendësimet menjëherë pas golit. Çfarë po priste kohën shtesë? Lojtarët ishin të rraskapitur. Në dhjetë minutat e fundit duhej dikush si Kastijeho, Borini po vraponte sikur të ishte gjyshja ime. Kur pashë që po luanim me tre mbrojtës fillova të lutem. Ai i patë se çfarë kundërsulmesh po bënin Kutrone dhe Suso, ata të shkretët s’kishin fuqi. Po të kishim në fushë lojtarë të freskët do ta kontrollonim më mirë situatën. Çdo tifoz mund ta kuptojë këtë gjë e jo më një trajner me eksperiencë”, u shpreh politikani ndryshe italian.

Mateo Salvini me Klaudio Lotiton, presidentin e Lacios gjatë ndeshjes Lacio-Milan

Përgjigja e trajnerit nuk vonoi dhe Gatuzo reagoi kundër tij. “I këshilloj Salvinin të mendojë më shumë për politikë se sa për futboll, pasi kemi probleme të mëdha në Itali. Më inatos shumë fakti se midis të gjitha këtyre halleve që kemi, Salvini gjen kohë për të diskutuar për Milanin. Nuk është hera e parë që i dëgjoj këto prej tij. Në fillim kritikonte Higuanin, tani po kapet me zëvendësimet që bëj unë. Si një qytetar i Italisë, kam shumë gjëra për të thënë për atë çka ka bërë Salvini deri më tani.”

U duk se një polemikë e tillë do të vazhdonte, por Salvini ka bërë një hap prapa dhe i ka dhënë fund situatës së krijuar.

Gatuzo është trajneri më i mirë që Milani mund të ketë dhe unë fola si tifoz. Le të themi që, ndoshta me ndonjë ndërrim, ndeshja mund të mbyllej në një tjetër mënyrë. Kam një respekt shumë të madh për Rinon, si futbollist dhe si trajner. Trajneri i Lacios bëri 3 zëvendësime kur ndeshja ishte 0-1 për ne. Ai hodhi 3 lojtarë të freskët në fushë, ndërsa ne nuk kryem asnjë zëvendësim, pavarësisht se po na shtypnin në 20 minutat e fundit. Unë fola vetëm si tifoz”, përfundon Mateo Salvini.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *