Pol Pogba nuk është i lumtur te Mançester Junajtid dhe pas fitores së javës së shkuar ndaj Lester Sitit e tha hapur: “Për të dhënë maksimumin lojtarët të duhet të jenë të lumtur, përndryshe nuk janë të qetë. Më mirë të mos flas më shumë, përndryshe gjobitem”.
Fjalë që tregojnë se marrëdhëniet e tij me Junajtid janë të tendosura, por duket se arsyeja kryesore është trajneri Zhoze Murinjo.
Portugezi ka pasur një debat të ashpër kohët e fundit me mesfushorin kampion bote, sipas The Sun, që ka publikuar dialogun e ashpër mes tyre.
“Nëse dëshiron të largohesh sërish nga Junajtid, thjesht me thuaj që dëshiron të ikësh. Nëse ke ndonjë problem, ma thuaj mua, jo mediave”, iu drejtua Murinjo.
Përgjigja e Pogbasë ka qenë e akullt: “Nëse dëshiron të flasësh me mua, fol me agjentin tim”.
Situata është e nderë dhe Murinjo e ka bërë kapiten francezin, duke i bërë elozhe pas ndeshjes hapëse të sezonit, por ende ka zëra se Barcelona do të bëjë një ofertë zyrtare deri në fund të verës. Gjithsesi, nuk ka shans që Junajtid të pranojë, pasi tashmë nuk ka më mundësi për të gjetur zëvendësues, duke qenë se merkatoja në Angli është mbyllur për sa u përket blerjeve.