Totenhemi në tre ndeshje ka marrë vetëm një pikë dhe kalimi i grupit bëhet më i vështirë. Barazimi me PSV-në i ka komplikuar gjërat, edhe pse humbja e Interit me Barcelonën i mban në lojë. Gjithsesi është shumë e vështirë dhe këtë e ka pranuar edhe vetë trajneri Mauricio Poçetino.
“Njejmë keqardhje, meritonim të fitonim. bëmë gjithçka për të shkuar në shtëpi me tre pikët. Është një ndeshje e vështirë për të gjykuar për shkak se ndodhën shumë gjëra. Ndonjëherë duhet të kuptojmë se ky është futbolli”, u shpreh tekniku i londinezëve fillimisht për “BT Sport”.
Me tej ai shtoi: “Kemi pasur mundësi të mira shënimi dhe kontrollin e lojës, kemi pasur gjithçka, por nuk kemi bërë gjënë më të rëndësishme, të shënojmë një gol më shumë se kundërshtari. Ky barazim na lë më pak shanse për t’u kualifikuar në fazën tjetër në Ligën e Kampioneve. Duhet ta analizojmë situatën, kjo ishte një ndeshje për t’u fituar. Është thuajse e mbaruar. Me një pikë pas tre ndeshjeve bëhet shumë e vështirë”.