“Po të ishte shqiptar do masakrohej”, Patushi kritikon Sormanin: Njeri i dobët! Kur tërhiqet trajneri, ç’të bëj lojtari

0

Ajo pikë në derbi duket se i vlen vërtetë shumë Tiranës në rrugën drejt titullit kampion. Të paktën në këtë mendim është një ish-lojtar i bardhebluve, Sajmir Patushi. Në një intervistë me gazetaren Enkeleida Zeko për “Syri Tv”, Patushi shprehet i bindur se ekipi i Egbosë do ta mbyllë në vendin e parë dhe nuk do të gabojë në këto tre ndeshje të mbetura.

Më tej është ndalur te Adolfo Sormani, i cili ndau rrugët me skuadrën e Partizanit. Kritikat e Patushit për trajnerin Italian janë të shumta, teksa thotë se një vendim i tillë duhej të vinte më parë. Të braktisësh skuadrën në një ndeshje derbi është e pafalshme për ish-futbollistin e Tiranës, që shton se Sormani i ka sjellë edhe një faturë të madhe financiare “demave të kuq”.

Derbi – “Pandemia ka bërë të vetën, edhe të gjithë janë të lodhur. Mund të them se ishte 90 minuta ndeshje dhe asgjë më tepër. Pika i vlejti Tiranës, e cila ka filluar të bëjë llogari me stilolaps, jo me laps. Besoj se Tirana ia arriti qëllimit dhe tashmë të dy duart i ka drejt titullit”.

Gara me Kukësin – “Tashmë çdo kundërshtar Tirana e ka shumë të lehtë. Këto tre ndeshje për Tiranën besoj se nuk do të ketë pengesë. Katër pikë në tre ndeshje janë mëse të realizueshme dhe çdo me kundërshtar që ka përpara, nuk besoj se do të ketë ndeshje të dobët. Them që Tirana do t’i marrë 9 pikë në tre ndeshje”.

Sormani – “Unë kam qenë skeptik gjithnjë për atë trajner. Mentaliteti që donte të shfaqte ai është shumë larg kampionatin shqiptar. Ata të huaj që vijnë e ikin nuk përshtaten dot dhe nuk gjejnë dot gjuhë të përbashkët. Sormani duhet të ishte larguar më përpara. Mendoni se çfarë do të ndodhte po të ishte një trajner shqiptar. Them që do të ishte masakruar, pasi Partizani nga kampion arrin te mosmarrja pjesë në Europë. Ky do të jetë hap i gabuar. Duhej të ishte larguar më përpara, pasi ka shkaktuar kosto të madhe financiare. Nuk e meriton Partizani që nga kampion të jetë në këtë situatë.

Ky trajner nuk kishte çfarë të jepte më. Vjen nga Italia dhe të lësh ndeshjen në ditën e derbit, kjo tregon se është një njeri i dobët. E gjithë bota po luan në këtë pandemi, Guardiola, Mourinho apo të tjerë. Ata nuk e braktisën “luftën”. Imagjino kur tërhiqet trajneri, ç’duhet të bëjë lojtari. Ky njeri ishte gabim i Partizanit që kur erdhi, ishte pika e dobët e ekipit”, ka thënë Patushi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.