Po Suedisë, pse i kishte ngelur ora mbrapa? Pika e marrë me Spanjën, diku si heronj dhe në Shqipëri do paraqitej si dështim

Nga Klaudio Ndreca

Të njohësh forcën tënde dhe të kundërshtarit, sa me rëndësi! Gjithmonë kur zhvillohet një garë mes dy personave dhe krahëve të ndryshme, me synimin për të fituar duhet së paku që të njohësh vlerat e tua dhe të kundërshtarit që ke përballë teje. Nëse ky i fundit i përket niveleve më të larta, atëherë mbërritja në finish në të njëjtin moment me të mund të konsiderohet gjithashtu si një fitore.

Kjo ishte panorama e ndeshjes dje mes Spanjës dhe Suedisë. Spanjollët kanë gjithë të drejtën për t’u ndierë “të vjedhur” teksa kishin më shumë se 75% të topit në zotërim, pasi shkëmbyen më shumë se 900 pasime dhe me rivalin që nuk arriti dot as 200 të tilla dhe që kishin mundësi të pastra shënimi. Por në fund të ditës ajo që llogaritet është pika e ndarë mes dy Kombëtareve. Në fund të muajit, vitit, ajo që do të kujtohet është barazimi 0-0 në Europian, pa i hyrë statistikave që tregojnë dominimin absolut të njërës apo tjetrës Kombëtare.

E teksa shihnim këtë përballje, jo pak tifozë e kanë hequr paralelizmin: “Suedia po luan kundër Spanjës apo Shqipëria?”. Në rrjetet sociale ka shpërthyer edhe ironia se Suedia kishte parkuar dy autobuza kundër Spanjës, teksa një prej tyre po e priste jashtë stadiumit dhe tjetri ishte brenda në fushë. Pra jemi duke folur për një Kombëtare me traditë të madhe në Europian dhe Botëror që zgjedh të presë gjatë gjithë kohës Spanjën, duke firmosur edhe për të mos e prekur kurrë topin me këmbë, vetëm për të dalë me një pikë nga fusha e lojës.

Sigurisht, nuk kishte zgjedhje tjetër! E jo pak qesharake duket tanimë kur kthen kokën pas për të riparë kritikat e bëra për Shqipërinë sa i përket humbjes ndaj Anglisë apo fundja edhe barazimin me Uellsin. “Rejës i ka ngelur ora mbrapa dhe mendon vetëm për mbrojtjen. Shqipëria ka frikë të sulmojë dhe na kthen në futbollin e viteve të shkuara”. Pra nëse Shqipëria do të ishte në vendin e Suedisë në mbrëmjen e djeshme dhe mbërritjet në Europian dhe Botëror do t’i kishte disi më të shpeshta, me siguri që në opinionin sportiv do të konsiderohej si dështimi më i madh mënyra sesi është barazuar falë fatit dhe pa e kapur topin me këmbë ndaj Spanjës.

Por edhe njëherë tjetër dëshmohet se nuk bëhet fjalë për një zgjedhje. Këtu diskutohet për një rival më të madh që nuk të lejon të zotërosh sferën dhe të imponon lojën e tij. Nga ana tjetër e vetmja gjë që mbetet për t’u kryer është mbrojtja e mirë dhe rreshtimi i gjithë ekipit mbrapa me arritjen më të madhe që të mos ulet kurrë impenjimi deri në vërshëllimin e trefishtë të arbitrit.

E në momentin që harron vlerat e tua dhe nis të fantazosh se mund të përballesh me kundërshtarin që ishte në nivel më të lartë se ty, për t’iu kundërpërgjigjur “flakë për flakë”, Shqipëria e pa rezultatin sesi mbrojtja e saj u shpërfytyrua me Çekinë në pjesën e parë, duke futur ujë në të gjitha krahët. Pra loja e zhvilluar nga Suedia kundër Spanjës ishte dëshmia e qartë sesi duhet të sillet ekipi i vogël kundër ekipit të madh, që nuk lidhet kurrsesi me stilin e lojës dhe fiksimet e trajnerëve sa i përket skemave të tyre. Spanja dhe Anglia ta imponojnë “katenacon italiane” edhe nëse je trajner suedez apo holandez, duke drejtuar një Kombëtare që ka nivelin më të dobët.

Ajo që ka rëndësi në fund të ditës është që të dalësh me pikë, cilado qoftë mënyra. Pasi kështu mund të vijë edhe rritja e nivelit duke marrë pikët e nevojshme për të provuar faza që nuk janë arritur më parë. Por sa shumë u ka shijuar kjo pikë e marrë suedezëve, që ia falën topin Spanjës dhe “i vodhën” pikën? Shumë! Dy momentet e vetme të rrezikshme që krijoi Suedia ishin sipasojë e aftësive të futbollistit Isak, që pritet të jetë zbulimi i Europianit.

Janne Andersson (Trajneri): “Kishim dy mundësi të mira dhe Spanja kishte mundësitë e saj. Në këtë pikë nuk ndihem shumë i turpëruar. Besnikëria e treguar nga lojtarët për planin e zbatuar ishte fantastike”.

Robin Olsen: “Luajtëm bashkë për këtë pikë. U përpoq gjithë ekipi. Nuk është pika më e merituar që kemi marrë, por jam shumë krenar kur shoh djemtë sesi vrapuan në fushë.

Alexander Isak: “Ne luftuam deri në minutën e fundit. Paraprakisht do të ishim të lumtur për një pikë me Spanjën, megjithëse duam edhe më shumë. Por jemi kaq shumë të lumtur me këtë pikë që në fund do të ketë rëndësi. U konsumova fizikisht pasi po qëndroja edhe në mbrojtje”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online