Po shembet një perandori, plas sherri te Juventusi

Ndoshta kështu shemben perandoritë në futboll, me një rival mistrec që të mund në shtëpi në minutën e fundit, me kundërshtarë si Insinje që bëjnë batuta pas ndeshjes, me gjithë Italinë që bën tifozllëk për “Davidin”, ndërsa te “Golia” plas sherri, me kapitenin Bufon që turfullon në dhomat e zhveshjes dhe me talentin Dibala që ka humbur, nuk dihet ku.

Kriza e vitit të shtatë juventin ka shpërthyer në vendin dhe momentin e gabuar dhe ka qenë “një shpullë e mirë”, siç tha trajneri Masimiliano Alegri pas ndeshjes kundër Napolit, humbje që “do të na kthejë në korsinë e duhur”.

Zero gjuajtje në portë, 57 pasime nga Bufon (!), shenja aspak të mira në momentin më delikat të sezonit, kur Juventusi ende po kuronte plagët e marra në Madrid.

Të shtunën Inter-Juventus, bardhezinjtë me një pikë në dy ndeshjet e fundit dhe përballë rivalit më të egër në dekadat e fundit. Në Milano tifozët thonë: “Të fitojmë të shtunën, pastaj në djall vaftë kampionati”. E tepruar, Interi lufton për Champions League, por mjafton kaq për të kuptuar çfarë do ndodhë në San Siro të shtunën, ku titulli i humbur i Juves është i barabartë me titullin e fituar të Interit, që ende kujton legjendën e penalltisë së famshme ndaj Ronaldos.

“Proceset, fajet, hipotezat nuk kanë vlerë. Ka vlerë vetëm të punohet për të fituar”, ka shkruar dje Alegri në Twitter, por trajneri bardhezi tashmë ka kundër edhe popullin juventin, që është lodhur me titujt kampionë brenda Italisë dhe nuk duron dot një ndeshje aq të shëmtuar si ndaj Napolit, që krejt papritur u kthye në luan brenda në Torino, aty ku edhe barazimin e ka ëndërruar.

Në momente të tilla duhet qetësi e unitet, por duken fjalë të huaja: kapiteni Bufon ka shpërthyer ndaj Benatiasë pas ndeshjes kundër Napolit, por edhe Dibala është nën shënjestër. Ka pasur debat të ashpër, fjalë ndoshta të tepruara, të paktën sipas medieve në Itali, që raportojnë se tensioni është maksimal.

Për dreq, shkon e dëmtohet edhe Kielini dhe sezoni i tij thuajse është mbyllur. Ndoshta edhe Dibala po e mbyll shumë keq sezonin: i shuar, pa ide e pa dëshirë, tashmë edhe Argjentina mund ta braktisë. A është faji i Dibalas? Absolutisht jo. Juventusi është një skuadër e plakur, e lodhur nga dominimi vetëm brenda Italisë, ndërsa shumë lojtarë presin Botërorin, pushimet, apo pensionin. Duket fundi i një perandorie. “Zero tituli”, ka thënë një herë e një kohë Zhoze Murinjo. Interi të shtunën, Roma pak më vonë, Milani në finalen e kupës: po sikur Juventusi ta mbyllë vërtet me zero tituj?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *