Shkëndija e Tetovës ka ngritur sot trofeun e titullit kampion në Maqedoninë e Veriut. Kuqezinjtë kanë zhvilluar një sezon fantastik që në fund është kurorëzuar me këtë titull të fituar. Një sukses ky i skuadrë së udhëhequr nga Ernest Gjoka që bën krenarë të gjithë shqitparët. Ndërkohë i pranishëm në ceremoninë e kurorëzimit të Shkëndijës ka qenë edhe presidenti i FSHF-së Armand Duka.
Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar ka shprehur lumturinë e tij përmes një postimi në rrjetin e tij social në “Facebook“. Duka e veçon skuadrën nga Tetova si një shembull se si duhet të funksionojë një klub futbolli, si dhe në fund uron për një përfaqësim sa më dinjitoz në kualifikueset e Champions League për të bërë krenarë të gjithë popullin shqiptar./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Postimi i Armand Dukës:
Kënaqësi e veçantë të merrja pjesë sot në ceremoninë e kurorëzimit të KF Shkëndijës së Tetovës si kampione e Maqedonisë së Veriut. I katërti titull kampion në histori për klubin shqiptar, që po krijon një traditë të shkëlqyer, duke u kthyer në një shembull se si duhet të funksionojë një klub futbolli. Dëshmia më e mirë se me punë dhe sakrificë mund të arrihen majat.
I shpreha urimet e mia të përzemërta presidentit të KF Shkëndijës, Lazim Destani, drejtuesve dhe stafit teknik të klubit tetovar për këtë sezon që u mbyll me këtë arritje fantastike. Shpresoj që të vazhdojnë me të njëjtin ritëm dhe të kontribuojnë për zhvillimin e futbollit, siç kanë bërë deri më sot.
Shumë i gëzuar dhe për rritjen e vazhdueshme që po shfaq futbolli në Maqedoninë e Veriut nën drejtimin e mikut tim Muamed Sejdini, që u kurorëzua me kualifikimin në Kampionat Europian.
I lumtur edhe për suksesin e trajnerit të KF Shkëndijës, Ernest Gjokën, i cili është një produkt i shkollës së trajnerëve të FSHF-së. Gjë që tregon se trajnerët e formuar dhe të licencuar nga FSHF janë të denjë për të drejtuar çdo skuadër, në çdo vend.
Emocion i veçantë për mua ishte dhe ritakimi me tifozët e zjarrtë të Shkëndijës, Ballistët, që as sot nuk munguan në festën e madhe të skuadrës së tyre të zemrës, të cilën e kanë mbështetur kudo. Edhe ata kanë një meritë të madhe në këtë arritje, edhe se pandemia nuk i mundësoi këtë sezon të tregonin nëpër stadiume dashurinë ndaj ngjyrave kuqezi.
Pas festës së titullit kampion nuk ka kohë për të humbur, pasi KF Shkëndija duhet të nisë nga puna për t’u përfaqësuar sa më denjësisht në Champions League, e për të bërë krenarë të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Uroj që klubi tetovar të shijojë sa më shumë suksese në arenën ndërkombëtare, ashtu siç ka bërë në këto vite të fundit.