PLUSET E JAVËT
DAJA – SKËNDERBEU
Skënderbeu fitoi në Kukës dhe dominoi në ndeshjen me kampionët në fuqi, duke u treguar në shtëpinë e tyre forcën. Më parë në “kurriz” e kish provuar edhe Partizani. Dominim dhe raste në një fushë të vështirë janë tregues i qartë i cilësive të Skënderbeut. Notë pozitive për Ilir Dajën, që edhe pas penalltisë së akorduar nga Kridens Meta, thirri ekipin dhe i dha zemër për të mos rënë moralisht.
LUSHNJA
Edhe në Lushnje e dinë se janë ekipi më i rrezikuar për t’u kthyer në Kategorinë e Parë, por ndaj Partizanit treguan që nuk kanë asgjë për të humbur dhe do e provojnë. Një pikë në kryeqytet vlen shumë, jo vetëm në aspektin psikologjik, pasi është marrë jashtë fushe dhe ndaj një ekipi që pretendon titullin kampion. Me rikthimin në shtëpi, situata ndryshon edhe për ta.
XHIXHA
Është i vetmi sulmues që këtë javë ka shënuar, madje dy gola. Raçiç e Bakaj realizuan me penallti, ndryshe nga 19-vjeçari kurbinas që ishte në dy raste në vendin dhe kohën e duhur dhe bëri detyrën. Aspiron të jetë një “Salihi”, por është vetëm fillimi për të. Notë pozitive, ndërkohë që ka edhe mbështetjen e klubit dhe stafit. Sa i takon fitores së Laçit, në njëfarë mënyre ishte detyrim pas dy humbjeve me Luftëtarin e Kukësin
LUFTËTARI
Gjirokastritët e treguan që në javën e parë se do jenë ekip i vështirë për t’u mposhtur dhe në Durrës po të ishte për një penallti të “dhuruar”, ndoshta sot do flisnim ndryshe, pasi ende do e kishin 0 kolonën e humbjeve. Me Flamurtarin në Vlorë bënë atë që duhej dhe në fund dolën me një pikë, por në çdo moment ishin gati dhe kërkonin edhe të “vidhnin” fitoren. Tre ndeshje pa pësuar, shifra super ku kujtojmë sezonin e vjetshëm
MINUSET E JAVËS
GJYQTARËT NË KUKËS
Kridens Metës i ishte besuar gjykimi në ndeshjen Kukësi-Skënderbeu dhe njëfarë mosbesimi ndaj këtij arbitri është krijuar nga vjet, nëse kujtojmë penalltinë e akorduar kundër Teutës, apo bërrylin e Musollit në ndeshjen me Laçin. Gaboi edhe këtë herë, duke mos i dhënë një penallti korçarëve dhe duke i akorduar një kampionëve. Anësori Rexha gjithashtu ishte protagonist në një pozicion jashtë loje në fundin e pjesës së parë, moment që mund të ndikonte në ndeshje, pasi kale iu afrua golit. I shpëtojnë “breshërisë” së sulmeve vetëm nga fitorja e Skënderbeut.
KUKËSI
Ndodhi edhe në ndeshjen ndaj Laçit që skuadra e Kukësit në disa momente të tërhiqej dhe t’i linte iniciativën kundërshtarit, çka i rrezikoi. Këtë herë kjo situatë ishte prezente gati në gjithë përballjen me Skënderbeun. Milinkoviç e tha hapur që kundërshtari u mori mesfushën dhe në fund u mposhtën. Goditje për ta prej faktit që humbën në shtëpi, humbën ndaj një rivali, si dhe bënë një paraqitje të dobët.
JULIANO-PARTIZANI
Mark Juliano nuk e njeh kampionatin shqiptar dhe kjo është evidente, ndërkohë që bën edhe eksperimente të ndryshme. Skuadra e tij ndaj Lushnjes bëri një paraqitje të dobët dhe për këtë ka pjesën e tij të përgjegjësisë edhe trajneri. Futbollistët kanë pjesën e tyre dhe me thënë të drejtën, ndaj Lushnjes duhej domosdo ta kishin gjetur rrugën e rrjetës në çdo lloj mënyre. As këtë nuk e bënë, që të paktën të punonin të qetë këtë javë.
DANILO ALVESH – SELIMAJ
Sulmuesi i Flamurtarit është bërë shpeshherë protagonist me “zhdukjet” e tij që janë shoqëruar edhe me deklarata bombastike. Këtë herë kapet publikisht me trajnerin Duro që e kritikoi për paraqitjen me Luftëtarin. Edhe nëse mendon se po luan mirë, një profesionist duhet ta zgjidhë atë brenda familjes. Këtë herë shënoi një “autogol”. Selimaj i Vllaznisë gaboi në golin e dytë të Laçit dhe në njëfarë mënyre e mbylli takimin, edhe pse shokët e tij të skuadrës u munduan të bëjnë diçka për të mos dalë pa pikë. Ai gabim tregon edhe arsyen pse gjithë verën në Shkodër donin edhe një portier tjetër.