Milani do të dalë përsëri në shitje dhe mund të përfundojë në duart e një manjati rus. Emri i tij njihet, pasi qarkulloi dhe gjatë vitit të kaluar një opsion potencial për blerjen e kuqezinjve. Ai është Alisher Usmanov, 65-vjeçari rus i lindur në Uzbekistan.
Pasuria e tij llogaritet rreth 13 miliard dollarë dhe ai është një mik i ngushtë i Vladimir Putin, presidentit të Rusisë. Usmanov ka qenë aksioner i Arsenalit, por ai vendosi të shesë 30% të aksioneve të “topçinjve” për shumën e 550 milionë sterlinave.
Fondi Elliot po punon fort për të rikthyer Milanin në nivele të larta. Politika e pronarëve të rinj është e qartë: lojtarë të rinj me një ekip U25, ndërtimi i stadiumit të ri dhe diplomaci me UEFA-n për të mos patur më probleme me FPF (fair-play financiar).
Amerikanët duan të rrisin vlerën e “Djallit” brenda disa vitesh në 1 miliard euro, ndërsa raportet e tyre me Usmanov janë shumë të mira. Ky i fundit po monitoron situatën dhe shihet si kandidati kryesor për të blerë një nga klubet më prestigjioze në botën e futbollit.