Kristof Piatek është i karikuar në maksimum për sezonin e ri. Polaku dhe shokët e tij janë gati ta rikthejnë Milanin në nivele të larta dhe objektivi minimal është kualifikimi në Champions.
24-vjeçari ishte zbulimi dhe surpriza e bukur e sezonit të kaluar. 19 gola shënoi fazën e parë me Xhenoan dhe 11 gola me kuqezinjtë. Piatek debutoi në shtator të vitit të kaluar me kombëtaren e tij dhe që prej asaj periudhe ka shënuar 4 gola në 6 ndeshje.
Shifrat janë në favor të tij, por tani duhet thyer një ters. Filipo Inzagi është një emër që i emocionon tifozët e “djallit”. Ish-bomberi unik u tërhoq nga futbolli dhe Milani në 13 majin e hidhur të vitit 2012.
Pas Superpipos, numrin 9 e kanë mbajtur mbi supe edhe shtatë futbollistë të tjerë, por performanca dhe numri i golave të shënuar i kanë zhgënjyer të gjithë. Emra si Pato, Matri, Torres, Destro, Luiz Adriano, Lapadula dhe Gonzalo Higuain kanë dështuar dhe nuk kanë qenë në lartësinë e duhur.
Piatek nuk e njeh fjalën frikë dhe ka vendosur të mbajë mbi shpinë numrin e rëndë për sezonin e ardhshëm. Polaku ka lënë numrin 19 dhe do tentojë të shënojë sa më shumë; për të lumturuar tifozët kuqezinj dhe për të thyer tabunë e numrit nëntë.