Jo vetëm Kukësi përfiton para ndeshjes me Skënderbeun. Edhe korçarët në sfidën me verilindorët mund të kenë një rikthim të madh. Bëhet fjalë për sulmuesin anësor, vlonjatin Dejvi Bregu. Ai humbi shumicën e ndeshjeve të fazës së tretë për shkak të një dëmtimi që pësoi në një miqësore me Tiranën.
Bregu ëshët rikuperuar dhe prej disa kohësh kishte nisur të stërvitej veçmas. Në takimin me Teutën ai ishte në stol dhe tanimë pritet rikthimi i tij në fushën e blertë. Me shumë mundësi kundër Kukësit ai do të ketë minuta.
Sulmuesi mezi e pret diçka të tillë. Edhe për trajnerin Orges Shehi është një lajm i mirë, pasi Bregu është një nga lojtarët më të rëndësishëm të korçarëve. Në dy fazat e para ai ka qenë thelbësor me shtatë golat e realizuar në kampionat.