“Përse të luajë Liverpuli me Realin 10 vite rresht“? Klop del kundër klubit për Superligën: E gjitha për para, asgjë tjetër

Tifozët e Liverpulit kanë reaguar ashpër për faktin se klubi i tyre i zemrës ka vendosur të jetë pjesë e Superligës Europiane. Por krahë tyre është edhe Jurgen Klop. Trajneri i të kuqve, në një intervistë për “BBC Sports“, bën me dije qendrimin e tij në lidhje me këtë çështje. Klop thekson se e gjitha kjo po bëhet për më shumë para në arkat e klubeve, ndërsa ai vetë ka ecur gjithnjë me qëllimin për të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve.

“Kam të njëjtin mendim për Superligën. Është e vështirë, njerëzit nuk janë të kënaqur dhe unë nuk jam i përfshirë. Liverpuli është më shumë se disa vendime. Qëllimi im ka qenë gjithmonë të isha pjesë e Ligës së Kampionëve. Më pëlqen ideja që Uest Hemi të luajë në Ligën e Kampionëve.

Kujtoni se pjesët më të rëndësishme të klubit janë tifozët dhe skuadra. Ne duhet të sigurohemi që asgjë të mos hyjë mes tyre. E kuptoj zemërimin e tifozëve për shkak të Superligës. Nuk e di saktësisht përse të 12 klubet e bënë. Por është gjithmonë ‘më shumë ndeshje, më shumë ndeshje’. Është e gjitha për më shumë të ardhura, asgjë tjetër”, ka deklaruar Jurgen Klop.

Ndërkohë qendrimin e tij Klop e zbulonte edhe 2 vite më parë, kur në një intervistë për “Kicker”, do të shprehej: “Për mua, Liga e Kampionëveështë Superliga, në të cilën nuk përfundon duke luajtur gjithnjë kundrejt të njëjtave ekipe. Përse duhet të krijohet një sistem kur Liverpuli përballet me Realin e Madridit për 10 vite rresht? Kush do ta shikojë atë çdo vit?”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *