Pushimet janë drejt përfundimit dhe Atalanta do të rikthehet në fushat e blerta. Ekipi bergamask do të nisë përgatitjet për sezonin e ri dhe sidomos për Champions Ligën.
Alehandro Gomez lufton për ngjyrat dhe simbolet e Atalantës prej verës së vitit 2014. Argjentinasi, i cili mban rolin e kapitenit të ekipit, është një nga shtyllat e ekipit dhe i preferuari i tifozërisë.
Kontrata i përfundon në vitin 2022, por presidenca po i jep përgatitjet e fundit kontratës së re. Sipas raportimeve të “Gazzetta dello Sport”, Atalanta do i ofrojë 31-vjeçarit një rinovim deri në 2023 dhe një rritje rroge.
Praktikisht një rinovim “përjetë”, pasi lojtari ofensiv do të jetë 35 vjeç kur t’i përfundojë kontrata. Gomez përfiton 1.6 milionë euro në sezon, ndërsa rroga e re do të jetë diçka më shumë se 2 milionë euro në sezon.
Kapiteni ka refuzuar çdo ofertë gjatë këtyre viteve, duke konfirmuar besnikërinë e tij ndaj Atalantës. Drejtuesit e klubit nuk e kanë harruar diçka të tillë dhe janë gati ta shpërblejnë, për këtë fakt, por edhe për paraqitjet pozitive dhe asistet e shumta që dhuron në fushën e blertë.