Shqipëria pret më 25 maj finalen e madhe të Conference League-s, e cila do të jetë historike për vendin tonë dhe UEFA-n gjithashtu. Naim Dani, administrator në “BBS Security” ka folur për rëndësinë e këtij eventi në emisionin “Ora Sport” në “Ora TV”, duke theksuar faktin se zhvillimi i kësaj finaleje në “Air Albania” ka ngjallur xhelozi në shtetet e tjera të Ballkanit.
“Për marrjen e finales së Conference League-s është bërë një lobim shumë i fuqishëm. Unë kam qenë vetë kur kemi aplikuar. Që të aplikosh për Conference League, do të thotë të plotësohet një formular shumë i madh, të plotësohen shumë kushte. Merita kryesore i shkon Federatës Shqiptare të Futbollit për plotësimin e një dosjeje voluminoze. Për këtë finale të Conference League-s që kemi marrë këtu, janë bërë xheloze shumë vende të tjera të Ballkanit. Sa që u diskutua një herë që mund të iki nga ne dhe u ngritën shigjetat në vendet e tjera.
Kështu që për këtë pjesë është dashur një punë shumë organizative. Sfida fillon që nga shteti shqiptar, nga qeveria, që nga bashkia, që nga policia, federata, security-ja, populli i thjeshtë. Atyre tifozëve që do u bjerë shansi të jenë në stadium, ju lutemi të vini si qytetarë europianë. Do nderoni gjithë Shqipërinë“, ka thënë Naim Dani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/