“Pashë çfarë bënin kampionët, Juve më ndryshoi”, Vrioni rrëfehet në Itali: Të gjithë e duan fanellën e një klubi të madh

Xhakomo Vrioni është duke shkëlqyer në radhët e Svarovski Tirolit. Sulmuesi shqiptar ka arritur të shënojë 9 gola në 12 paraqitje me skuadrën austriake, duke premtuar shumë për të ardhmen e tij. Futbollisti i datëlindjes 1998 është në pronësi të Juventusit dhe rikthimi në Torino padyshim që mbetet objektivi i tij. Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, Vrioni rrëfen sa e rëndësishme ishte ajo eksperiencë me gjigantin italian dhe se sa shumë ka mësuar nga të stërviturit me Ronaldon dhe disa prej lojtarëve më të mirë të botës.

“Jam i kënaqur me ndikimin që kam. Unë jam duke punuar çdo ditë për të përmirësuar veten dhe për të ndihmuar ekipin. Është e qartë se nuk dua të ndalem, po bëj çmos që rruga ime të vazhdojë kështu. E di që klubi ka disa vite që punon në sinergji me Juventusin. Këtu është gjithçka që ju nevojitet për t’u rritur dhe për të punuar fort, nga strukturat dhe organizimi i menaxhmentit, tek vëmendja ndaj detajeve të nevojshme për të kryer punën në mënyrën më të mirë të mundshme. Ka një trajner dhe drejtor shumë të përgatitur që besuan tek unë.

Ishte dëshira ime të provoja një eksperiencë jashtë vendit, të përjetoja një mënyrë të re të të luajturit futboll. Gjithmonë më ka intriguar. Kur m’u paraqit kjo mundësi, e mora menjëherë, duke qenë në gjendje të luaja në një kampionat vërtet të vështirë dhe të nivelit të lartë e me lojtarë të fortë. Nuk hezitova të vij këtu.

Mendoj se kalimi te Juventusi në tërësi më ka përmirësuar më shumë, jo vetëm në moshën nën 23 vjeç. E kuptova vërtet se çfarë do të thotë të jetosh profesionalizmin e një futbollisti, jo vetëm në fushë por edhe jashtë, duke u kujdesur për çdo detaje të jetës së përditshme. Nga ushqimi te rikuperimi fizik, Juve më ndryshoi. Kam pasur fatin të stërvitem për një kohë të gjatë me ekipin e parë, mendoj se kjo më dha një nxitje të mëtejshme për të ndryshuar dhe për t’u rritur. Kur je te Juve, gjithmonë duhet të presësh diçka më shumë nga vetja, thjesht sepse luan në një klub të madh, një nga më të mirët në Europë.

Ekipin e parë? Arrita atje i habitur. Tashmë kur vesh fanellën e Juventusit ka një efekt të caktuar, plus gjeta një strukturë teknike dhe menaxheriale në krye dhe ky ishte çelësi i ndryshimit tim. Më mjaftoi të shihja se çfarë bëjnë kampionët gjatë një seance stërvitore apo gjatë ditës së tyre, mendoj se për një djalë është gjëja më e rëndësishme. Në moshën 21-vjeçare kupton disa gjëra. Ëndërr, nuk e prisja. Shkova në U-23 dhe kisha kokën për këtë, nuk e mendoja se do të mund të stërvitesha shpejt me ekipin e parë. Ishte e bukur, emocionuese dhe po aq frymëzuese. Pikërisht sepse, siç thashë edhe më parë, aty fillova të kuptoj vërtet se çfarë duhet për t’u bërë një futbollist profesionist në nivelin më të lartë.

A është rikthimi në Juve një nga synimet e mia? Mendoj se është qëllimi i të gjithëve që të jenë në gjendje të fitojnë fanellën e një klubi të madh. Por tani jam këtu dhe po mendoj të bëj më të mirën dhe më të mirën për Tirolin”.

Objektivi? Po bëj më të mirën për ekipin, në çdo ndeshje. Për një sulmues është gjithmonë e rëndësishme të ndihmojë shokët e tij të skuadrës, shpresoj të vazhdoj ta bëj këtë me gola. Ne jemi një ekip i ri, me një trajner të madh. Shpresoj se do të arrijmë të arrijmë objektivat e vendosur. Të ardhmen nuk e di. Unë jam aq i përqendruar në të tashmen sa nuk mendoj as për të ardhmen sot. Shpresoj që angazhimi i përditshëm që po bëj për të tashmen të jetë çelësi i së nesërmes sime”, është shprehur Xhakomo Vrioni./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online