Pas Junajtid, Shaqiri lë pa fjalë dhe legjendën e “Djajve të Kuq”!

0

Liverpuli arriti një fitore të madhe kundër Mançester Junajtid, armiqve të urryer. “The Reds” fituan me rezultatin 3-1, ndërsa heroi i vendasve ishte Xherdan Shaqiri. Klop vendosi ta hidhte në fushë lojtarin me origjinë shqiptare në minutën e 70-të dhe ai ia shpërbleu me një dygolësh.

Ky trepikësh e riktheu Liverpulin në krye të renditjes me 45 pikë, një më shumë se Mançester Siti i vendit të dytë, ndërkohë që ekipi i Klopit është i vetmi, që nuk e ka provuar akoma shijen e humbjes pas 17 javëve.

“Xherdani vendosi ndeshjen dhe ishte e jashtëzakonshme. Ia vleu futja e tij në lojë. Shaqiri është i mrekullueshëm dhe ekstremisht i talentuar. E prisnim të ndryshonte ndeshjen dhe ai e bëri”, u shpreh Jurgen Klop, trajneri i Liverpulit, pas përfundimit të ndeshjes.

Shaqiri ishte kritikuar më parë nga Geri Nevill, ish-mbrojtësi i Mançester Junajtid. Ai e quante 27-vjeçarin si “lojtar jo profesional”, “dembel”, apo dhe si “lojtar i dobët ekipi”.

Sulmuesi i Liverpulit u shpall nga “Sky Sports” si lojtari më i mirë i ndeshjes. Çmimi iu dha nga Xhimi Karrager, një legjendë e klubit të kuq, i cili lëshon batutën kundrejt shqiptarit. “Duhet ta kishte dhënë këtë çmim Geri Nevill, por nuk donte të zbriste poshtë dhe të përballej me ty.” Lojtari buzëqeshi dhe iu përgjigj: “Ok, përshëndete nga ana ime!”

 

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.