Partizani nuk ndalet, Moxhi kërkon edhe dy futbollistë

Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit nuk e ka mbyllur merkaton ende, pasi kërkon edhe një lojtar cilësor për repartin ofensiv dhe një qendërmbrojtës

Merkatoja e Partizanit ka qenë mjaft aktive, afrime të bujshme dhe lojtarë me CV, relativisht të lartë për kampionatin shqiptar të futbollist. Edgar Çani kryeson listën e afrimeve të reja, ndërsa Herrera, Adorjan apo edhe La Kamera janë futbollistë që priten të bëjnë diferencën. A e kënaq kjo Moxhin? Jo, pasi italiani akoma nuk e ka nxjerrë Partizanin nga merkato. Të kuqtë dëshirojnë edhe dy afrime të tjera, jo domosdoshmërisht të vijnë dhe të nguten, por nëse del futbollisti i duhur, atëherë do të provojnë maksimumin për ta marrë në skuadër. Informacione të besueshme pranë klubit të kuq bëjnë me dije se Moxhi po kërkon edhe dy futbollistë. Bëhet fjalë për një sulmues që t’i bashkëngjitet Sukajt dhe Çanit, por edhe një qendërmbrojtës.

Sulmuesi – Afrimi i Çanit e ka bërë më të kompletuar këtë repart, por përsëri alternativat mungojnë. Për momentin, në fazën ofensive të “demave” janë Sukaj dhe Çani, Fili është një tjetër emër, por që është anashkaluar nga skuadra e kuqe. Gjasat janë që të kuqtë të vazhdojnë merkaton për të marrë edhe një sulmues, pasi në rast të një dëmtimi, apo pezullimi të mundshëm, ata dalin zbuluar përpara. Moxhi ka nisur vëzhgimin e tregut dhe sigurisht që vëmendja e tij është e përqendruar te tregu italian i futbollit, aty ku janë marrë edhe afrimet e tjera për “demat”.

Qendërmbrojtësi – Një tjetër dëshirë e Moxhit, por edhe e drejtuesve të tjerë të Partizanit është afrimi i një qendërmbrojtësi kualitativ. Malota, Krasniqi dhe Atanda luftojnë për një vend në formacion, në atë repart është edhe i riu Janku, por përsëri “demat” nuk janë krejtësisht të sigurt. Ata kërkojnë një mbrojtës që t’i ofrojë siguri në prapavijë dhe që nga largimi i Arapit nuk e kanë gjetur të duhurin. Moxhi po punon për të mbyllur edhe këtë “defekt” të skuadra e kuqe. Sezonin e shkuar, qendra e mbrojtjes ka qenë një ndër pozicionet më të kritikuara te “demat”, pasi pavarësisht golave të pakët që kanë pësuar, lojtarët e këtij reparti nuk kanë treguar siguri.

Skuadra – Partizani ka krijuar grupin e lojtarëve dhe po punon nën drejtimin e trajnerit Mark Juliano për të arritur formën maksimale para fillimit të kampionatit. Të kuqtë janë të vendosur në Kashia të Italisë dhe numrit një i stolit është i kënaqur me grupin që ka, pavarësisht se pret edhe ndonjë dhuratë të fundit nga Moxhi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *