Shifrat e të kuqve janë me të vërtetë alarmante dhe momentalisht merkatoja shihet si zgjidhja e halleve të “demave”. Shtatë gola të shënuar në 12 takime
Partizani u ndal në barazim pa gola me Skënderbeun dhe në këtë mënyrë me pikën e marrë mbetet në rrugën e duhur për të plotësuar kërkesën e klubit për të marrë shtatë pikë në tre ndeshje. Fitorja me Kukësin dhe barazimi me korçarët duhet shoqëruar me një fitore në Lushnje me skuadrën e drejtuar nga Hysen Dedja. Tri pikët në këtë transfertë janë detyrim dhe në kampin e kuq nuk mendojnë gjë tjetër. Surpriza e fazës së parë me siguri “djeg” ende te Partizani dhe ai barazim në “Selman Stërmasi” është një motivim për të bërë ndryshe këtë herë.
PROBLEMI I GOLIT
Edhe në ndeshjen e fundit me Skënderbeun Partizani shfaqi probleme në vijën e sulmit. Nuk është se nuk pati raste, por Trashi dhe Sukaj nuk shënjestruan si duhet portën e Orges Shehit. Mesfushori shumë pranë kuadratit gjuajti në mënyrë krejtësisht të pasaktë, ndërsa Sukaj ia dha në duar topin portierit të korçarëve. Pas ndeshjes të gjithë në kampin e kuq ishin të zhgënjyer për rastet e pashfrytëzuara, sikurse pati edhe pretendime për një moment penalltie dhe një pozicion jashtë loje të Prognit. Gjithsesi mbetemi te goli dhe me ardhjen e trajnerit Starova, Partizani ka shënuar vetëm ndaj Kukësit, ndërsa në sfidat me Laçin dhe Skënderbeun nuk ia ka dalë dot. Nëse rikthehemi te ndeshja me kampionët në fuqi, të dy golat kanë ardhur jo si logjikë e ndërtimit të manovrës sulmuese të të kuqve. Goli i parë erdhi nga një goditje standarde dhe Bardhi vetëm sa e shtyu në rrjetë devijimin e Malotës, ndërsa te i dyti një top i mbajtur në lojë në anësore u kthye në aksion të rrezikshëm pas devijimit të Albi Allës, që e la topin për Bardhin. Ky i fundit ia lëshoi Prognit poshtë këmbëve të mbrojtësit të Kukësit dhe tropojani u tregua i saktë. Gjithsesi me rëndësi është të shënohet, sidomos në momentet të tilla që të kuqve u duhen më së shumti pikët. Por për të shënuar duhet dikush që di ta bëjë mirë diçka të tillë.
ZGJIDHJA
Në verë e “ndritën” Luçiano Moxhi e Antonelo Preiti, ndërkohë që justifikimi është dëmtimi i Edgar Çanit. Sulmuesi javën e shkuar nisi përgatitjet me grupin dhe të gjithë duan ta shohin në fushë në kondicionin e duhur, jo sikurse ndodhi në ndeshjen me Kukësin dhe Skënderbeun në kampionat fazën e parë. Tashmë Moxhi e Preiti e kanë detyrim t’i japin drejtim kësaj pune dhe të gjejnë një sulmues dhe zërat e parë kanë nisur të qarkullojnë, teksa lakohet një sulmues serb, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Gjithashtu edhe pista italiane mbetet e hapur dhe të gjithë në kampin e kuq presin të reja, që këtë herë do sjellin ndryshimin e duhur pozitiv.
0.58 Gola
Për ndeshje është mesatarja e Partizanit për golat e shënuar deri në këtë moment të kampionatit
Golat / Shifra të “tmerrshme”, vetëm Lushnja më keq
Janë luajtur deri më tani 12 ndeshje në Superiore dhe shifrat e Partizanit për golat e shënuar janë një “tmerr” më vete, pasi të kuqtë kanë gjetur rrugën e rrjetës vetëm shtatë herë. Një mesatare shumë e vogël shënimi, ndërkohë që më pak se Partizani ka shënuar vetëm Lushnja e vendit të fundit. Të tre ekipet që janë nën ta në tabelën e klasifikimit kanë shënuar më shumë. Vllaznia e Luftëtari kanë gjetur rrugën e rrjetës nga nëntë herë, ndërkohë që Teuta ka shënuar 15 gola, duke qenë sulmi i tretë më i mirë. Skënderbeu e Kukësi mbajnë vendet e para, me korçarët që anë realizuar 23 gola, dy më shumë se Kukësi i vendit të dytë. Me një mesatare një gol për ndeshje janë tre skuadra: Laçi, Kamza dhe Flamurtari, që ia kanë dalë të shënojnë nga 12 gola.
Ekipi Gola
Skënderbeu 23
Kukësi 21
Teuta 15
Laçi 12
Kamza 12
Flamurtari 12
Luftëtari 9
Vllaznia 9
Partizani 7
Lushnja 6
Shifrat/ Shpërndarja e golave, “demat” gola në 4 ndeshje
Përveç numri të vogël të golave, Partizani nuk ka shënuar në 2/3 e ndeshjeve. Kështu, të kuqtë kanë gjetur rrugën e rrjetës vetëm në katër ndeshje, teksa në tre takime kanë realizuar nga dy gola, ndërsa në një, konkretisht me Vllazninë kanë fituar me golin e realizuar nga Milan Basrak, i larguar së fundmi nga ekipi. Partizanit iu deshën katër javë për të shënuar golin e parë dhe kjo ndodhi në Durrës, kur Trashi me kokë mposhti portierin Moçka, ndërsa në të dytën Sukaj me penallti realizoi golin e fitores së parë në kampionat për këtë sezon. Këta dy lojtarë janë shënuesit më të mirë të ekipit, me nga dy gola. Ata kanë gjetur rrugën e rrjetës edhe në ndeshjen me Luftëtarin. Dy rrjetat e tundura së fundmi janë ato në Kukës, kur Bardhi e Progni i dhanë fitoren të kuqve me kampionët në fuqi.
20-11-17 Kukësi 1 – 2 Partizani
22-10-17 Vllaznia 0 – 1 Partizani
16-10-17 Partizani 2 – 0 Luftëtari
12-10-17 Teuta 1 – 2 Partizani