Sezonin e shkuar të kuqtë nuk humbën asnjë nga 4 përballjet me Skënderbeun, bilanc që ka një peshë të madhe psikologjike. Ndërkaq, koha punon në favor të Çanit, gjithnjë e më mirë fizikisht
Të shtunën në mbrëmje nuk është një ndeshje vendimtare, është vetëm java e tretë, por Skënderbeu-Partizani ka kohë që nuk është më një ndeshje normale. Shumë gjëra në lojë, duke nisur nga krenaria e të kuqve, që prej vitesh ëndërrojnë të kthehen te titulli, ndërkohë që shohin Skënderbeun të triumfojë brenda e jashtë Shqipërie. Titulli i sezonit 2015-16 iu hoq Skënderbeut dhe Partizani ka kohë që e kërkon, si vendi i dytë i atij sezoni, por për tifozët nuk do të jetë e njëjta gjë. Gjithsesi, ka diçka ku Skënderbeu nuk mburret dot: përballjet direkte të viteve të fundit, që shohin dukshëm superior Partizanin.
NJË SEZON E GJYSMË – Më 19 dhjetor 2015 është regjistruar fitorja e fundit e Skënderbeut në këtë sfidë dhe prej atëherë 6 ndeshje, tre fitore Partizani e 3 barazime. Dy suksese kanë ardhur brenda në Korçë dhe në mënyrë kurioze, duket sikur Partizani e ka më të lehtë aty, sesa në Tiranë. Edhe në maj të këtij viti, në një ndeshje që e humbi tërësisht rëndësinë e vet, Partizani ishte pranë fitores dhe shkoi deri në avantazhin e dy golave, para se Plaku e Gripshi të evitonin humbjen korçare. Jo vetëm rezultate, por edhe lojë: Partizani i Korçës ka qenë më impresionuesi i sezoneve të fundit, sidomos ai i dhjetorit 2016, kur Ekuban përmbyste avantazhin korçar, por edhe në maj 2016 nuk harrohet fitorja në fundin e takimit me golin e Emiljano Vilës, gol që ndezi ëndrrën titull, edhe pse Partizani e kishte “djegur” vetë shansin e titullit më parë, me një gafë kolosale ndaj Bylisit brenda në Tiranë. Kur nis një ndeshje futbolli, statistikat vlejnë pak, por në rastin e Skënderbeu-Partizani peshojnë goxha, sepse të kuqtë shkojnë në Korçë të vetëdijshëm se mund të marrin sërish rezultat. Edhe një barazim këtë radhë vlen shumë, vlen si një fitore, duke parë momentin e Partizanit, që ende nuk ka shënuar gol dhe ka nevojë të zhbllokohet, por edhe kalendari ka qenë i sikletshëm, me dy ndeshje rresht kundër rivalëve direkt për titull.
ÇANI PO RRITET – Kundër Kukësit luajti ndeshjen e parë sezonale nga minuta e parë, 70 minuta pozitive, edhe pse pa gol. Shumë vrap, përplasje, tentativa për të gjetur hapësira në një mbrojtjeve më të mira në Shqipëri. Goli nuk u duk, por ai do të vijë. Ajo që kishte rëndësi, forma fizike, duket në rritje konstante. Edgar Çani duhet të luante e shumta 45 minuta, por vetë sulmuesi kërkoi të luante më shumë, duke thënë se ndihej mirë. Zëvendësimi erdhi për të mos rrezikuar, por te Partizani janë të kënaqur me sulmuesin, sepse ashtu si parashikohej, fundi i shtatorit do ta shohë në maksimumin e formës. Në Korçë është e qartë që Çani do të jetë sërish pikë referimi në sulm dhe ndoshta do të qëndrojë në fushë më shumë se ndaj Kukësit, pasi ka një ndeshje dhe disa ditë më shumë stërvitje në këmbë. Golat nuk janë problem, fundja janë luajtur vetëm dy javë kampionati.