Partizani në fokusin e Ilir Lames: Ja çfarë u mungon demave!

Në fokusin e ish-sulmuesit të Partizanit dhe të Kombëtares, Ilir Lame, skuadra sot ka shumë ndryshim, krahasuar me sezonet e kaluara. Ai mendon se, në periudhën kur e përfaqësonte skuadrën e kuqe, sulmuesat ishin të një niveli më të lartë se këta aktualë. Por punën e trajnerit Skënder Gega ai e vlerëson pozitivisht dhe sygjeron që të ulë euforinë për vazhdimësinë.

Si një sulmues i mirëfilltë, Ilir Lame luajti në 12 sezone me Partizanin në periudhën 1978-1990, ndërkohë që ka qenë edhe pjesë e Kombëtares në 14 ndeshje. Aktualisht një specialist futbolli, Lame nuk i ndahet Partizanit në çdo ndeshje, dhe në këtë bisedë për SportEkspres.com ai sjell argumentet e tij, duke thënë se “agjerimi” 25 vjeçar për titullin kampion është mbyllur.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Pas 16 javëve kampionat, Partizani kryeson renditjen, për ju ishte e pritshme kjo situatë?
-Fillimisht unë nuk isha besimplotë, nisur nga gjendja në skuadër, e cila sipas meje nuk ishte e konsoliduar si duhej në të gjithë repartet. Por gradualisht, trajneri Skënder Gega e mblodhi mirë skuadrën, dhe ky kryesim në këto 16 javë, pse jo, është edhe pjesë e kësaj pune.

Partizani ka shënuar 18 gola, sa ngjashmëri ka sulmi aktual i Partizanit me sulmin kur ju luanit në këtë skuadër?
-Në periudhën kur unë luajta me fanelën e Partizanit kishte sulmuesa të mëdhenj, si Agim Murati, Mustafa Fagu, Bujar Hado, për ta kaluar te brezi tjetër që unë pata fatin të luaj me Sokol Kushtën dhe Ylli Shehun. I përmenda këto emra, për të thënë se sulmuesit e sotëm janë shumë larg tyre.

Ju keni luajtur te Partizani edhe me Skënder Gegën, si e vlerësoni nga futbollist në trajner?
-Në këndvështrimin tim, Gega futbollist e trajner është i zgjuar për lojën. Edhe si futbollist ai këtë temperament kishte, ndërkohë që sot si trajner te Partizani, veç punës së mirë që ka bërë, duhet të ulë euforinë te skuadra, sepse për vazhdimësinë është “armiku” më i keq që e dëmton.

Pse tekniku i Partizanit u beson shumë të rinjve, është politikë e së ardhmes, apo janë talente që duan minuta lojë?
-Mendoj se brenda politikës për të ardhmen, Gega po i aktivizon rregullisht tre-katër talente që ka aktualisht në skuadër. Është filozofia e tij në punën me të rinjtë, por realisht këta të rinj janë të alternuar mirë edhe me pjesën tjetër të skuadrës, të cilët kanë më shumë përvojë në Superiore.

Edhe pse Partizani kryeson, ka ndonjë defekt te skuadra deri në këtë periudhë?
-Defekte te Partizani ka patur në sezonet e kaluara, ndërkohë që këtë sezon shoh që ka më  shumë përmirësim, por pa përjashtuar edhe momente që eliminohen gradualisht e paralelisht me garën. Pas 25 viteve pritje, Partizanit i ka ardhur koha që të fitojë titullin kampion.

Po deklarata e trajnerit Gega, se ende nuk e mendon titullin, ju si i gjykoni?
-Besoj se kjo është një deklaratë që i shërben psikologjisë në skuadër, për të ulur euforinë. Kështu ai tregohet trajner i pjekur, si kundër ka qenë edhe futbollist, serioz dhe me kulturë. Ato vlera po i shfaq edhe tani në bankinë, dhe frytet janë pozitive në gjysmën e parë të sezonit.

E keni ndonjë sugjerim për skuadrën në tërësi, dhe për trajnerin Gega në veçanti?
-Unë nuk kam asgjë më shumë se sa ka bërë deri tani skuadra, së bashku me trajnerin Gega. Me këtë performancë në 16 javë e mendoj shumë pranë titullit, por duhet që në gjysmën e dytë të sezonit, duke shfrytëzuar edhe merkaton, të punojë më shumë për finalizimin në portën kundërshtare.

Të premten luhet ndeshja Partizani-Kukësi, është kjo supersfida e vitit për kryesimin?
-Natyrisht që po. Edhe pse aktualisht Partizani është i shkëputur 5 pikë nga vendi i dytë, dhe në ndeshjen me Kukësin e ka si detyrim fitoren. Por, edhe duke i parë realisht të dyja skuadrat, pa qenë i njëanshëm, them se Partizani ka më shumë kualitete që ta fitojë këtë sfidë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *