Partizani ndryshon “kupolën” pas Europës

Ardhja e Milinkoviçit në stol e dërgon trajnerin aktual në rolin e këshilltarit. Moxhi është drejtor i përgjithshëm dhe sjell edhe një ndihmës nga Italia, kurse Tomori dhe Haxhia mbeten në klub…

Për Partizani ka nisur një periudhë ndryshimesh në klub, një frymë e re është futur te kryeqytetasit pas ardhjes së këshilltarit italian Luçiano Moxhi. Ndryshimet bëhen gjithmonë për mirë, por a do të nisë ekipi i presidenti Gaz Demi edhe një fazë tjetër riformatimi. Lajmet dhe konfirmimet e para për ardhjen Mlladen Milinkoviçit në stolin e Partizanit sjellin rrjedhimisht një sërë ndryshimesh të detyruara. Nëse ndodh kështu, trajneri aktual, Sulejman Starova, rimerr pozicionin e këshilltarit të presidentit Demi. Po Moxhi? Po kush e njeh italianin si këshilltar? Askush. Madje edhe në daljet publike, trajneri Starova e ka etiketuar si drejtor të përgjithshëm. Moxhi ka afruar në ekip edhe ndihmësin e tij, italianin tjetër Antonelo Preiti, ish-drejtori sportiv i Katanxaros.

STOLI – Emri që ka marrë votat e plota për drejtimin e ekipit të Partizanit, është trajneri i Luftëtarit, Mlladen Milinkoviç. Edhe vetë trajneri serb i gjirokastriteve ka lëshuar mesazhe “dashurie” për drejtuesit e të kuqve. Për këtë lëvizje ka dhënë miratimin edhe trajneri aktual, Sulejman Starova. Numri 1 i stolit të kuq beson se serbi është i duhuri për ta zëvendësuar në krye të ekipit. Mbetet për t’u parë, nëse një lëvizje e tillë do të ndodhë, gjithmonë pas Europa Leagues.

KËSHILLTARI–DREJTORI – Largimi i mundshëm i Starovës nga posti i trajnerit do të thotë rikthim i tij në rolin e këshilltarit të presidentit Demi. Diçka e tillë do të sillte përplasje me Luçiano Moxhin, i cili mban aktualisht këtë rol. Megjithatë, askush nuk e njeh italianin si këshilltar të Partizanit, diçka të tillë e pohoi edhe vetë Starova në një deklaratë për mediet. Afrimi i mundshëm i Luçiano Moxhit në rolin e drejtorit të përgjithshëm të Partizanit do të bënte që Genc Tomori apo Edmond dhe do të mbeten aty.

NDIHMËSI I MOXHIT – Për të bërë sa më mirë punën e tij dhe për të marrë krejtësisht “frenat” e Partizanit në dorë, Luçiano Moxhi ka afruar edhe një tjetër person në radhët e klubit kryeqytetas. Fjala është për ish-drejtorin sportiv të Katanxaros, Antonelo Preitin. Ai do të jetë krahu i tij i djathtë, posti ende nuk dihet, por, me shumë mundësi, do të jetë zëvendësi i tij. Një afrim, që e zbeh gjithnjë e më shumë rolin e Tomorit dhe Haxhisë në klubin e kuq.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *