Partizani mund të humbasë Bathën në verë

2

Kapitenit i mbaron kontrata në fundin e sezonit. Klubi dhe lojtari po zhvillojnë negociata, por nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët

Partizani po merr rezultate pozitive me ardhjen e trajnerit Klevis Dalipi, në krye të stolit. Elbasanasi ka sjellë qetësinë në skuadër dhe po i merr maksimumin futbollistëve të tij. Ai në deklaratat e tij për media ka vendosur theksin te lojtarët e tij dhe sidomos te senatorët që po e ndihmojnë dhe e ndjekin me imtësi. Elbasanasi është shprehur se kapiteni Batha, mesfushori Lorenc Trashi, apo dhe futbollistë të tjerë si Progni, Hoxha dhe pjesa tjetër e ekipit e ndjek. Në fakt, raporti i shëndoshë i Dalipit dhe Bathës nuk vihet në diskutim. Ky i fundit është në një moment delikat të karrierës së tij, pasi kontrata me Partizanin mbaron në fund të sezonit dhe kapiteni praktikisht del si lojtar i lirë. 28-vjeçari luan prej 4 vitesh te skuadra e Partizanit dhe atij i është besuar shiriti i kapitenit pas problemeve që portieri Alban Hoxha pati me ekipin. Përplasja e tij me Moxhin bëri që shiriti të kalonte te mesfushori shtatshkurtër në fillimin e këtij sezoni.

NEGOCIATAT – Burime të besueshme pranë klubit të Partizanit bëjnë me dije se kapiteni Batha dhe drejtuesit e klubit kanë nisur diskutimet për rinovimin e kontratës. Dëshira e të dy palëve është që të rinovojnë, por tregu është gjithmonë kërkesë-ofertë dhe kështu që palët duhet të bien dakord për anën e tyre financiare. Kapiteni nuk është ndër më të paguarit te skuadra e “demave”, pasi kur ka firmosur në nëntorin e vitit 2015 ka hedhur firmën në kontratë për 3500 euro. Bathën nuk e ngroh më kjo shifër dhe kërkon rritje rroge dhe para në dorë. Partizani kërkon që të ulë sa më shumë pretendimet e lojtarit dhe në fund të firmosë në kushtet më të favorshme për klubin. Momentalisht, gjithçka mbetet në kufijtë e negociatave dhe palët mundohen si e si të kapin njëra-tjetrën me qëllim uljen e pretendimeve të secilës palë.

BATHA – Futbollisti pretendon se klubi duhet të plotësojë kushtet e tij, pasi ka dhe skuadra të tjera që e duan. Trajneri Shpëtim Duro mund ta mirëpresë në Vlorë dhe Flamurtari nuk e ka aspak problem të plotësojë kërkesat e mesfushorit 28-vjeçar. Bregdetarët e kanë bërë dhe me lojtarë të tjerë që nuk kanë qenë të “sprovuar” në Superiore, lërë pastaj për Bathën që ka vite që luan në nivele të larta. Kapiteni nuk dëshiron që të largohet nga klubi i kuq, por kërkon që të përfitojë më shumë në aspektin financiar.

PARTIZANI – Skuadra e kuqe kërkon që t’i ulë sa më shumë pretendimet e kapitenit, Idriz Batha. Drejtuesit e kuq po e “kërcënojnë” futbollistin me merkaton e verës dhe me idenë se mesfusha mund t’i nënshtrohet një revolucioni total. Largimet e janarit mund të “justifikojnë” fjalët e klubit dhe për lëvizjet e mundshme të verës. Të kuqtë janë të mërzitur për faktin se nuk kanë fituar dhe duan që vitin e ardhshëm të kthehen te trofetë.

You might also like
2 Comments
  1. besi says

    Ka fjale se gjithcka ka mbaruar dhe do kaloje me tironen ku do kete rritje rroge

  2. Arapi says

    Per mua nuk ka proplem. Te Partizani nuk mugojne lojtare te tille si ai.

Your email address will not be published.