Ka disa marrëdhënie që janë dashuri-urrejtje, ndoshta për sy e faqe, por në ambiente publike herë zihen e herë duhen. Ka marrëdhënie të tjera më të veçanta që janë urrejtje – urrejtje, e nëse po mendoni për sinonimin apo shembullin e kësaj mund të ju sjellim në kujtesë ekipin e Partizanit dhe Federatën Shqiptare të Futbollit në edicionin që sapo u mbyll. Nga i pari i klubit, Gaz Demi e deri te lojtarët ka qenë një luftë e hapur. Deklaratat kanë qenë më të fortat të regjistruara ndonjëherë nga një klub i Superligës për FSHF-në, ashtu si kundërdeklaratat e presidentit Armando Duka.
Në asamblenë e përgjithshme të FSHF-së u plas deklarata e parë e fuqishme kur drejtori Genc Tomori sulmoi publikisht dhe ballazi Federatën dhe punën e saj dhe mori në mënyrë direkte përgjigjen e presidentit Duka. Numri një i klubit Demi dhe numri një i stolit Starova nuk kanë munguar në deklarata kundër, pa harruar edhe deklaratat zyrtare të klubit në faqen zyrtare të “Facebook-ut”. Por si mund të zgjidhet diçka e tillë, përzgjedhja e një kandidati dhe mbështetja e tij për rrëzimin e Dukës.
KANDIDATI – Burime brenda klubit të kuq bëjnë me dije se drejtuesit e klubit po mendojnë për kandidatin që do t’i kundërvihet presidentit Armando Duka në garën e ardhshme presidenciale. Sulmet e vazhdueshme ndaj njëri-tjetrit dhe marrëdhëniet e ashpra e të ftohta kanë bërë që kryeqytetasit ta mendojnë seriozisht diçka të tillë. Arsyeja dihet, ata mendojnë dhe e kanë pohuar publikisht se kampionatin nuk është fituar nga sulmet që i janë bërë nga Federata Shqiptare e Futbollit. Deklaratat e presidentit Gaz Demi i kanë mëshuar kësaj piste në studio të ndryshme televizive dhe tashmë duket se do të merren edhe hapa konkret. Të kuqtë kanë shpalosur idetë e tyre për një futboll tjetër dhe një garë të ndershme dhe të pastër, pasi sipas tyre në Shqipëri kampionati është i paracaktuar dhe fituesi caktohet nga FSHF-ja.
ZGJEDHJET – Në zgjedhjet e ardhshme presidenciale për kreun e FSHF-së. Me shumë mundë në garë me presidentin Armando Duka do të jetë edhe një kandidat i mbështetur nga ekipi i Partizanit. Se sa vota do të fitojë nuk dihet, por me situatën aktuale edhe pozitat aktuale të presidentit të FSHF-së nuk janë aq të forta si më përpara.