Partizani mundohet të lërë pas momentin e zi në kampionat, ku ende nuk ka fituar e shënuar, ndaj ndërprerja e kampionatit ka ardhur ndoshta në momentin e duhur, për të punuar me qetësi e për të provuar daljen nga kriza.
Në tentativë për të gjetur zgjidhjet e duhura sidomos për sulmin, aty ku Edgar Çani po krijon një boshllëk të madh, Partizani ka organizuar një ndeshje miqësore për të shtunën, në orën 17.00.
Në “Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare” në Kamzë Partizani do të presë Pelisterin e Maqedonisë, skuadër që fitoi kupën sezonin e shkuar dhe ashtu si Partizani, luajti në Europa League, por doli pa lënë asnjë gjurmë.
Këtë sezon Pelisteri po paraqitet dobët dhe ka marrë vetëm një pikë në 5 ndeshjet e fundit, ndaj është një përballje mes dy skuadrash me ecuri identike.