Moxhi ka nisur gjurmimin dhe po tenton të bindë ish-lojtarin e Milanit, Mateo Kinelato, që deri tani ka shënuar 42 gola në 167 ndeshje mes të rinjve dhe profesionistëve
Eraldo Harlicaj
Ku është Moxhi? Çfarë po bën Moxhi? Pyetje të tilla kanë qenë shumë prezente ditët e fundit pas eliminimit të Partizanit nga Europa League, por duket se tashmë italiani ka nisur të lëvizë. Ndoshta gabimi i tij është se kërkon shumë lart, por duket se e ka vendosur të sjellë një superlojtar në Shqipëri.
Burime të klubit të kuq për “Sport Ekspres” kanë bërë të ditur se emri i fundit që është shfaqur në listën e italianit është Mateo Kinelato. Sulmuesi italian do të ishte një lëvizje mjaft e gjetur dhe mund të shihet si zëvendësuesi ideal i Ekubanit, ndryshimi i vetëm, italiani ka përvojën në kombëtare më shumë se ganezi. Kinelato ka mbyllur sezonin e fundit me Komon dhe pas falimentit të klubit italian ka dalë si lojtar i lirë. Moxhi si “ujk” i vjetër kërkon të shfrytëzojë rastin dhe ta bindë të vijë në Shqipëri edhe pse konkurrenca është e ashpër.
TRATAVITAT – Drejtori i Përgjithshëm e pëlqen shumë sulmuesin 25-vjeçar. CV-ja e tij e pasur, por edhe të dhënat mjaft të mira bëjnë të besosh se në Shqipëri do të bënte diferencën. Italiani menjëherë është futur në bisedime me lojtarin dhe menaxherin e tij dhe i ka prezantuar ekipin e Partizanit. Për momentin bëhet fjalë vetëm për bisedime paraprake dhe shprehje interesi, pasi nuk ka asgjë konkrete, por në kampin e kuq shpresojnë ta bindin ish-sulmuesin e Milanit dhe të Komos.
5 VJET I MILANIT – Afrimi i tij në Shqipëri do të bënte që të ishte sulmuesi me CV-në më të pasur që ka mbërritur në vendin tonë. Kinelato është 25 vjeç dhe në kulmin e karrierës. Ai është i gjatë 188 cm. Sezonin e fundit e ka mbyllur me Komon ku ka qenë edhe titullar. Ka luajtur në 36 ndeshje dhe ka shënuar 12 gola. Të njëjtën shifër që ka shënuar edhe në edicionin 2015-2016 përsëri në ekipin e Kuneos. Kartoni i tij deri në verën e vitit të kaluar ka qenë në pronësi të Milanit. Pas mbarimit të kontratës me të kuqtë kaloi te Komo.
Kinelato ka provuar shumë ekipe dhe eksperienca në karrierën e tij, pasi ka qenë shumicën e kohës i huazuar. Asnjë ndeshje me Milanin. 25 vjeçari ka qenë edhe pjesë e kombëtares së Italisë për moshën deri në 20 vjeç. Ka luajtur 1 ndeshje pa gjetur rrugën e rrjetës, në karrierën e tij rendit edhe ekipe si Fiorentina, Xhenoa, Rexhina, Suditirol, etj.
MUNDËSITË – Afrimi i tij me Partizanin është mjaft i vështirë, pasi ka edhe konkurrencë të madhe. Ekipi i Peskarës por e monitoron, po ashtu Padova dhe Viçenza. Në garë për shërbimet e tij është edhe Partizani që penalizohet nga forca e kampionatit dhe paragjykimi i Superligës, por i sigurt është fakti që ka njeriun më të “fortë” se gjithë të tjerët në bisedime. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë mes palëve.