Mediat në Itali bëjnë me dije faktin interesant se pasi të kuqtë kanë pësuar golin e tretë nga Ternana, këshilltari i presidenti Demi është larguar nga tribuna, dukshëm i mërzitur..
Partizani ka vetëm dhjetë ditë që ka nisur përgatitjet, ndërkohë që në miqësoren e së shtunës me Ternanën u mposht me rezultatin 3-1. Të kuqtë bënë një paraqitje jo të mirë, të kushtëzuar edhe nga përgatitjet dhe rimti që u kushtëzon fakti që kanë nisur vonë, ndërkohë që edhe ngarkesa luan rolin e saj. Gjithsesi nuk është se ndonjë në kampin e kuq mund të jetë kënaqur, veç trajneri Mark Juliano, që normalisht synon të mbajë lart moralin e skuadrës. Edhe tifozët në rrjetet sociale kanë shprehur haptas zhgënjimin, por nga ana tjetër janë munduar të motivojnë skuadrën e tyre, pasi kundërshtari është një ekip i Serisë B dhe nuk është bërë nami.
“Ishte një ndeshje e bukur. Pashë dy skuadra që janë në faza të ndryshme përgatitjeje. Ternana është më përpara se ne, ndaj është gati fizikisht. I uroj gjithë të mirat Ternanës. Po përgatitemi për t’u paraqitur mirë në kampionat. Edhe pse jemi vetëm në fillim, jam shumë i kënaqur. Objektivi? Të shkojmë më lart se vendi i dytë i sezonit të shkuar”, tha ndër të tjera të shtunën në mbrëmje tekniku italian.
MOXHI – Siç edhe dihet, Luçiano Moxhi është i dënuar përjetësisht në Itali dhe ishte i izoluar në tribunë gjatë përballjes që Partizani humbi me Ternanën. Italiani është parë i pakënaqur dhe këtë e vërteton më së miri fakti që në momentin që rezultati ka shkuar 3-0 për Ternanën, ai është larguar nga tribuna. “Ç’të them? Pyesni Preitin (drejtori sportiv), sepse ai e pa ndeshjen deri në fund. Ternana është më përpara me përgatitjet, në nisim në 9 shtator”, ka thënë Moxhi, sikurse shkruan “Ilmessaggero”. Normalisht që njëfarë zhgënjimi e ndjen, pasi ai së bashku me partnerët e tij, po ndërtojnë Partizanin dhe synojnë që veç titullit kampion në Shqipëri, të forcojnë akademinë dhe të shesin futbollistë në të ardhmen.
PRURJET ITALIANE – Luçiano Moxhi nuk e njeh kampionatin shqiptar dhe tregun vendas të merkatos, ndaj edhe së bashku me drejtorin sportiv Antonelo Preiti, janë fokusuar në tregun italian të futbollistëve. I fundit që u afrua ishte mesfushori me tipare sulmuese, panamezi Erik Herrera. Më parë ishin prezantuar Edgar Çani, që ka një dëmtim dhe ende nuk është aktivizuar me ekipin, si dhe Kristian Adorjan. Gjithashtu nën urdhrat e trajnerit Juliano është vendosur mesfushori Xhovani La Kamera, si dhe sulmuesi Mustafa Enok Xhixhiua dhe Milan Basrak. Ky i fundit shënoi golin e vetëm ndaj Ternanës, ndërkohë që një paraqitje të mirë bëri edhe sulmuesi afrikan, që u mundua shumë të ndihmonte skuadrën, por pa mundur të shënojë dot gol, që është edhe detyra kryesore për të si sulmues.