Firmos Kaliniç, Milani duel me Juven për Keitanë

0

Klubi kuqezi zyrtarizon kroatin e Fiorentinës dhe tenton t’i “rrëmbejë” Juventusit  senegalezin e Lacios

Në fillim Nikola Kaliniç, më pas Keita Balde Diao. Merkato e Milanit nuk ka përfunduar dhe po rezervon ende goditje të rëndësishme dhe surprizë. Për sulmuesin kroat, praktikisht, pritet vetëm zyrtarizimi, edhe pse klubi kuqezi e ka paraprirë firmën përmes një statusi në “Twitter”. Ish-lojtari i Fiorentinës, sot do udhëtojë nga Kroacia në drejtim të Milanos, ku do të zhvillojë edhe vizitat mjekësore pranë klinikës “Madonnina”, për të firmosur më pas kontratën me kuqezinjtë, që do ta marrin kështu me formulën e huazimit me detyrimit të blerjes për thuajse 25 mln euro.

KEITA – Por sigurisht që nuk ka përfunduar me kaq. Sepse, synimi i Milanit është që t’i dhurojë një tjetër lojtar të rëndësishëm në sulm Montelës. Dhe emri i tij është ai që korrespondon me Keita Balde, për të cilin “Djalli” kishte prezantuar ofertën më të rëndësishme për Lacion, një ofertë që është zbuluar mbrëmjen e së shtunës nga vetë presidenti Lotito. Nëse është e vërtetë që lojtari do vetëm Juventusin, është edhe po aq e vërtetë se oferta e bardhezinjtë nuk i afrohet aspak pretendimeve të numrit 1 të bardhekaltërve. Dhe kështu, nëse do të shkohej në ditën e fundit të merkatos pa një akord ndërmjet palëve, Keita mund të vendoste që të pranonte ftesën e kuqezinjve vetëm që të mos mbetej pa luajtur një vit. Për këtë arsye, Fasone dhe Mirabeli në fillim duhet të mbledhin 30-35 mln eurot e duhura, falë shitjeve të disa elementëve si Paleta, Sosa, Niang dhe Gomez, të gjithë jashtë projektit Montela.

TARE – Drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, ka konfirmuar se mes klubit dhe Keitasë gjithçka ka marrë fund: “Lojtari nuk do të kthehet më në Formelo. Është një situatë që duhet trajtuar me durim, deri më 31 gusht do ta zgjidhim”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.