Ishte një ndër emrat e kontaktuar nga Partizani në javët e fundit, por duket se eliminimi i shpejtë nga Europa League dhe largimi i trajnerit Sulejman Starova ka bërë që askush të mos e ketë mendjen për momentin te merkatoja.
Partizani është pa trajner, skuadra do të pushojë deri në gusht dhe Luçiano Moxhi ende nuk dihet se çfarë lojtarësh ka piketuar.
Një prej tyre, ish-sulmuesi i Milanit Mateo Kinelato, ka pritur gjatë javët e fundit, ka studiuar ofertat dhe tashmë ka firmosur për Padovan, duke u prezantuar zyrtarisht.
Sulmuesi 25-vjeçar shënoi 13 gola sezonin e fundit te Komo dhe 12 gola një vit më parë te Kuneo, ku ishte i huazuar nga Milani, ndaj këtë verë kishte oferta nga shumë klube.
Tani ai ka zgjedhur Padovan, duke parë edhe pasivitetin e Partizanit dhe faktin që në Serinë B Peskara nuk i garantonte vendin në formacion.
Pas prezantimit, Kinelato tha ndër të tjera: “Jam i lumtur që kam firmosur për këtë klub me histori. Kisha mundësi të tjera, në kategori superiore, por zgjodha Padovan, që e konsideroj zgjidhjen më të mirë për mua. Doja një zgjidhje të shpejtë dhe ramë dakord menjëherë, jam i lumtur. Pas 5 vitesh në pronësi të Milanit, duke qenë gjithnjë i huazuar nëpër Itali, mendoj se jam gati për të tentuar ngjitjen në B me Padovën dhe e shoh këtë skuadër si trampolinën e duhur për mua. Vitin e shkuar shënova shumë, edhe pse luanim me sistem mbrojtës 3-5-2, ndërsa në Padova do të luajmë një futboll më sulmues”.