Nga gafa me “UÇK” te huazimi në Çeki e dëbimi më pas… Mesfushori shqiptar vendosi të bënte hapa prapa dhe të riniste të luftonte për karrierën e tij. Sot rinis të dhurojë spektakël me PAOK
Dikur ishte me një këmbë drejt largimit, me valixhe në duar dhe lot në sy, sot duket një tjetër njeri. Metamorfoza e Ergys Kaçes ka qenë e jashtëzakonshme dhe e papritur, në një farë mënyre. Deri vetëm përpara disa muajsh, karriera e tij, edhe pse ende në një moshë “të korrigjueshme”, dukej sikur po shkonte drejt fundit, një “Baloteli” shqiptar, edhe pse shumë më pak talent. Por, mesfushori i PAOK mori në dorë frerët dhe, i mbështetur nga familja, por edhe bashkëshortja, duke gjetur edhe lumturinë e vajzës së tij, arriti të ngrihej, deri sa bëri edhe një si Xhani de Biazi të ndërronte mendje dhe, përpara se të dorëhiqej nga stoli i Shqipërisë, ta rikthente kuqezi. Por, ishte një moment tepër i vështirë i karrierës së tij, kur Kaçe u dëbua edhe nga skuadra e Viktoria Plzen, duke u kthyer në Selanik. Pikërisht aty gjeti edhe forcën e tij, duke u ringritur.
Ergys Kaçe dhe PAOK-u, një dashuri e destinuar të vazhdojë, pavarësisht luhatjeve ndër vite. Mesfushori i kombëtares shqiptare e mbylli mirë sezonin dhe është kthyer edhe në kombëtare, ndaj PAOK-u ka vendosur ta mbajë, duke e konsideruar tashmë të pjekur dhe gati për të qenë protagonist. Prej pak ditësh PAOK ka nisur fazën përgatitore për sezonin e ri, duke u postuar në Holandë, për të gjetur kushte komode mbi të gjitha në aspektin e klimës. Aty Kaçe ka shënuar një gol spektakolar, më të bukurin deri tani në përgatitoren holandeze, me një gjuajtje stili gërshërë, duke e çuar topin në këndin e djathtë të portës, ndërsa shokët dhe stafi drejtues i kanë bërë komplimente, raporton “inpaok.com”.
Më 8 korrik Kaçe do të festojë ditëlindjen, pasi mbush 24 vjeç. Me këto paraqitje dhe pasi ka marrë veten, tashmë Kaçe do të rinisë të jetë i kërkuar dhe, ndoshta, në të ardhmen do ta shohim diku tjetër, edhe pse ëndrra e tij është Seria A. De Biazi dhe Tramexani e kanë thënë këtë gjë vazhdimisht, por tani mbetet në dorën e Ergysit, që është kthyer të jetë ai lojtar që besonte në cilësitë e tij dhe nuk fliste me “unë”, por me “ne”.