Panuçi prezantohet: Shpresoj të lë gjurmë, dua Euro 2020!

Trajneri i ri i Shqipërisë, Kristian Panuçi, ka firmosur sot kontratën që e lidh me Shqipërinë deri në vitin 2020

Italiani ka dalë para mdiave nën shoqërinë e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ndërsa ka deklaruar: “Falënderoj presidentin Duka për besimin, është një përgjegjësi e madhe, pasi Shqipëria është një vend që po rritet shumë në futboll. Jam i bindur që Shqipëria do të më japë shumë, por uroj që edhe unë të kem dhënë diçka.

“Tani kemi edhe 4 ndeshje, edhe pse Botërori është thuajse e pamundur, por mendojmë edhe për Euro 2020 dhe këto ndeshje do të shërbejnë pikërisht për të parë grupin. Pres me padurim të nis punë, nuk kam ç’të them më tepër.

“Kërkoja një projekt serioz, me presidentin u ndieva shumë mirë që në takimin e parë.

“De Biazi ka shkruar historinë në Shqipëri, është një mik i mirë, e falënderoj publikisht se e di që i ka folur mirë presidentit Duka për mua, por tani duhet të mendojmë të shkruajmë një histori të ri. Ai e mori Shqipërinë në ndërtim e sipër dhe duhej të bënte revolucion, tani Shqipëria është në një nivel më të lartë. Revolucion nuk do të bëj, thjesht do vijnë më të mirët, dyert janë të hapura për të gjithë.

Lojtarë vendas apo të huaj? Nuk bëj dallim, nuk i shoh ca të nënës e ca të njerkës. Kam vetëm një fëmijë, në Itali, të tjerët i shoh njësoj. Fitorja ka rëndësi, jo kush luan e nga vjen.

“Kam parë ndeshje pa fund këto ditë, po e njoh Shqipërinë nga afër, e kam krijuar një ide, edhe pse nuk kemi shumë kohë. Katër ndeshje janë të mjaftueshme. Lojtarët do t’i njoh personalisht, sepse duhet vlerësim personalisht.

“Sa i përket shqipes, i kam thënë presidentit se në kohën që do të jem këtu, do të marr leksione të gjuhës shqipe se është e drejtë që të mësoj sa më shumë fjalë, aq më shumë ato që më duhen në fushën e lojës. Himnin, do të mundohem ta mësoj.

“Ndeshja ndaj Italisë? Nuk më intereson, në fushë nuk njoh askënd, as babain tim. Dua fitoren, edhe ndaj Italisë.

“Stafi? Do vijnë disa nga Italia, por do kem edhe dy bashkëpunëtorë nga Shqipëria, pasi është shumë i nevojshëm shkëmbimi i ideve”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *