Shkëndija e Tetovës po bëhet gati për ndeshjen me Sherifin e Tiraspolit, ndërkohë që sot kanë dalë para mediave trajneri Qatip Osmani dhe kapiteni Armend Alimi. Fillimisht ishte tekniku ai që foli për situatën në ekipin e tij. “I kemi analizuar disa ndeshje të Sherifit, edhe atë të fundit 3-0. Bëhet fjalë për një ekip me kualitet. Sigurisht që pas asaj humbje me TNS duhet të mësojmë diçka. Vetëbesimi pas asaj humbje të thellë është më i ulët, por gjatë stërvitjeve, me biseda në grup dhe individualisht, jemi munduar të sjellim gjendjen e duhur”, tha para gazetarëve Osmani.
“Filozofia e Shkëndijës është që në çdo ndeshje të dominojë me lojën e vet. Do mundohemi të imponojmë lojën tonë. Ajo humbje e thellë ka bërë të veten, por këta gjëra ndodhin me pavetëdije, Kemi biseduar gjatë javës. Sa i takon këtij aspekti, Shkëndija është gati. Ndoshta gabova se bëra shumë ndryshime, por ndodhi se ndeshja e parë ma krijoi atë komoditete. Ne si Shkëndijë, që duam të jemi klub i madh, nuk duhet të lejojmë të na ndodhin situata të tilla”, përfundoi Osmani.
ARMEND ALIMI – Kapiteni i Shkëndijës, në konferencën për shtyp, deklaroi: Objektivi jonë së pari është të bëjmë lojën më të mirë. Normal që në shtëpi duhet të fitojmë dhe të mos pësojmë, sidomos kundër Sherifit që ka ekip të mirë. Jemi përgatitur për një ndeshje të fortë”.
Sa i takon humbjes 4-0 me TNS, Alimi shtoi: “Me rëndësi është që e kemi kaluar traumën e pësuar në humbjen me TNS. Ne si lojtarë e kemi marrë si mësim për ndeshjen e ardhshme, por edhe si motivim për të treguar se ajo nuk është pasqyra reale e Shkëndijës. Presim me padurim ndeshjen me Sherifin për të treguar vlerat tona. Tifozët janë shtysë për ekipin, shpresoj që do jenë sa më të shumtë. Kemi nevojë për ta që të zhvillojmë një ndeshje pozitive”.