Optimizmi i Isli Hidit: Teuta, surpriza e sezonit

U mendua i destinuar për Flamurtarin. Ndoshta pse jo të rikthehej te Tirana, shtëpia e tij. Në fund, Isli Hidi zgjodhi t’i bashkohej Teutës. Një emër i rëndësishëm në Kategorinë Superiore, skuadër e riformatuar dhe një projekt ambicioz, pavarësisht emrave të rinj. Nga Bledi Shkëmbi, i cili synon të afirmohet në futbollin shqiptar edhe si trajner, pasi më parë shkëlqeu si futbollist, për të kaluar te ekipi i talentuar i “djemve të detit”. Në intervistën për “Super Sport”, portieri Hidi nuk bën premtime, por beson se Teuta mund të jetë surpriza e bukur e kampionatit.

EKIPI – Ekipi po kalon një moment të mirë, edhe pas fazës përgatitore në Ohër. Morëm ngarkesën fizike dhe zhvilluam disa miqësore. Mendoj që gradualisht po vijmë si ekip, dhe miqësoret na kanë shërbyer shumë. Ekipi ka në përbërje shumë lojtarë të rinj. Me afrimin e Bicajt, Osmanit dhe unë aty mbrapa besoj se mund të japim pak ksperiencë nga e jona. Gjithsesi skuadra ka elementë shumë të mirë dhe së bashku mund të bëjmë diçka pozitive në këtë sezon.

SHKËMBI – Është një ndejesi e veçantë, kur ke patur në krah një shok, një koleg dhe tashmë ai është trajner. Të gjitha janë pjesë e lojës, kështu është futbolli i sotëm. Nuk është hera e parë, pasi edhe në Qipro më ka ndodhur një situatë e tillë. Aspekti profesionist është në maksimum, ti urojmë suksese edhe atij. Ne lojtarët e vjetër duhet ta mbështesim.

OBJEKTIVAT – Për të thenë të drejtën është shpejt për të dhënë objektiva, por duke dhënë më të mirën nga java në javë, besoj se do të bëjmë një sezon të mirë. Kush është ai që nuk e dëshiron një trofe, megjithatë Teuta dita-ditës do të bëjë ndryshime dhe pse jo të bëjë edhe një surprizë të bukur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *