Shpëtim Moçka është i lirë dhe shumë shpejt duhet të ndajë mendjen se ku do të luajë sezonin e ardhshëm. Portieri vlonjat po përflitet në disa ekipe, madje edhe për një emër të madh si Tirana. Bardheblutë e kanë tentuar edhe në të shkuarën Moçkën, por Teuta qe treguar më e shpejtë dhe pat arritur marrëveshjen me Laçin që zotëronte kartonin.
Moçka ka edhe opsione të tjera, por për të është e qartë: do që të jetë portier i parë. Te Tirana duan një që të rivalizojë me Ilion Likën. Momentalisht ai është numri një, por problemet e fundit i bëjnë drejtuesit bardheblu të mendojnë për një tjetër portier që u garanton portën. Abibi nuk e bind brazilianin Ze Maria.
Por edhe Kamza do portier. Moçka aty duhet të rivalizojë me Ilir Avdylin. Shanset për të luajtur titullar janë të mëdha. Gjithçka varet nga oferta e klubit periferik të kryeqytetit. Rikthimi te Kastrioti është një mundësi tjetër.
Krutanët në aspektin financiar nuk mund të bëjnë çmenduri. Momentalisht Klajdi Kuka është portieri i parë. Edhe me Kastriotin Moçka mund të luajë titullar. Nuk ka shumë kohë për të vendosur se ku do ta vijojë karrierën.