Mbas shitjes së brazilianit Alison tek Liverpuli, Roma nuk vonoi dhe gjeti pasardhësin e tij, duke firmosur me portierin e kombëtares suedeze, Robin Olsen. Verdhekuqtë paguan 8.5 milionë euro te danezët e Kopenhagenit dhe 28-vjeçari Olsen zbarkoi në kryeqytetin italian për të mbrojtur kuadratin e Romës.
Transferimi i tij ka sjellë gëzim dhe para dhe në një ekip të kategorisë së shtatë të Suedisë. Flasim për Malmo Bunkeflo FF, e cila ka përfituar 60 mijë euro nga transferimi i Olsen. Sipas rregullave të FIFA-s, të gjithë klubet me të cilat Olsen ka luajtur nga mosha 12-23 vjeç përfitojnë një përqindje të vogël nga transferimi i portierit. 5% e shumës prej 8.5 milionë eurosh që përfitoi Kopenhagen, do të ndahet mes të gjitha klubeve ku është aktivizuar Olsen, mes tyre dhe Bunkeflo.
Një shumë modeste prej 60 mijë eurosh për klubin e vogël, por një oksigjen për ta, të cilët mbijetojnë me financat që sigurojnë nga sponsorët lokalë dhe… shitja e hot-dogëve dhe pijeve gjatë ditëve të ndeshjeve.
Në një prononcim për “Reuters”, presidenti i klubit, Kale Uadenhamer është shprehur: “Do të doja që këto para të shfrytëzoheshin për të përfituar e gjitha zona, duke përmirësuar aktivitetet për fëmijët”.
Të gjithë janë të lumtur: Olsen për mundësinë e madhe, Roma, Kopenhagen, Bunkaflo dhe e gjithë zona e klubit që lufton në kategorinë e shtatë të kampionatit suedez.