Olajinka: Futbolli çek më lart, por Skënderbeu kualifikohet

ëse pyet një tifoz korçar se cilët kanë qenë lojtarët që e kanë impresionuar këto vitet e fundit në Korçë, në epokën e sukseseve të mëdha, vështirë se mund të veçojë një apo dy lojtarë, sepse ka shumë emra që kanë lënë dhe po lënë gjurmë te klubi që në dekadën e fundit ka dominuar futbollin shqiptar. Megjithatë, duke kërkuar disa emra, nuk mund të mos përmendet Piter Olajinka. Tani është vetëm 21 vjeç, por ka një eksperiencë prej veterani, duke qenë se ka luajtur në futboll profesionist në 4 sezonet e fundit. Nga Ballshi, në Korçë e pastaj në Belgjikë, aty ku është kthyer tani, pas një sezoni huazim në republikën Çeke. Sulmues,  me një shpejtësi dhe teknikë të admirueshme, që habiti Gentin kur e bleu për një shifër marramendëse, 1.1 milionë euro, por habiti edhe çekët, kur e panë te Dukla e Pragës. Është një investim madhor i Gentit, që nuk e ka me ngut, duke parë moshën e re të nigerianit, i cili në sezonin e ri do të luajë te Zulte, fituese e kupës sezonin e fundit. Aty menjëherë ka shpërthyer në gola nëpër miqësore, ndërsa sot do të luajë ndeshjen e parë zyrtare për këtë sezon, finalen e Superkupës së Belgjikës, kundër Anderlehtit kampion. Në fakt, ne na intereson më shumë ajo që Olajinka mund të thotë në lidhje me sfidën Skënderbeu-Mlada Boleslav, duke qenë se sezonin e shkuar, në prill të këtij viti, i shënoi Mladës, edhe pse kjo e fundit e mposhti në të dy përballjet Duklën e Olajinkës.

– Përshëndetje Piter. Në Belgjikë ka elozhe të shumta për paraqitjet e tua nëpër miqësore, aq sa lexojmë që Zulte më në fund ka gjetur një sulmues të shpejtë e teknik, që i mungonte prej vitesh.

– Përshëndetje. Faleminderit, jam duke ia kaluar mirë këtu. Po punoj shumë, kjo verë ka qenë shumë e lodhshme, pasi i kemi nisur shumë herët përgatitjet për sezonin e ri, që nis që këtë fundjavë, me Superkupën.

– Gent pagoi një shifër të frikshme për ju, por sërish iu ka lënë në huazim. Përse ka ardhur kjo zgjedhje?

– Në fakt, unë që kur erdha te Genti pata një dëmtim që nuk më lejoi të bëja fazë përgatitore të plotë dhe Gent, duke parë edhe numrin e madh të sulmuesve që kishte, më huazoi te Dukla në Çeki. Mendoj se ka qenë vendimi i duhur për të gjithë, sepse te Dukla luajta rregullisht dhe dhashë më të mirën time, duke fituar shumë eksperiencë. Tani jam te Zulte, ku Gent më huazoi për të luajtur rregullisht dhe për t’u përshtatur sa më mirë me futbollin belg.

– Eksperienca me Duklën, si ishte?

– Dukla është një ekip i mirë, klub shumë i organizuar. U befasova, në fakt, sepse ia kalova shumë mirë dhe ishte një periudhë e shkëlqyer për mua, në çdo drejtim, që më ka ndihmuar shumë si futbollist dhe si njeri.

– Na trego pak për atë ekip dhe futbollin çek në përgjithësi. Një krahasim me Superioren shqiptare, duke qenë se i ke luajtur të dyja?

– Republika Çeke është një vend fantastik dhe ka një kampionat mjaft cilësor. Më vjen keq ta them, por standardi i futbollit çek është shumë më i lartë se ai shqiptar. Kjo është e vërteta, në syrin tim, edhe pse nuk e them me qejf, sepse jam më i lidhur me Shqipërinë, sesa me Çekinë. Gjithsesi, Skënderbeu në vitet e fundit ka treguar se është në rrugën e duhur.

– Pikërisht, Skënderbeu do të ndeshet me Mladën, skuadër së cilës i ke shënuar. Çfarë pret nga përballjet mes tyre?

– Mlada luan futboll mjaft sulmues dhe të shpejtë. Është një ekip i mirë, edhe pse jo në nivelin e Spartës dhe ekipeve të tjera pretendente për titull. Pas të mëdhave, Mlada është gjithnjë aty, klubi punon në mënyrë të shkëlqyer dhe ka një vazhdimësi të admirueshme, nuk bën shpesh revolucion në skuadër, ka vite me të njëjtët lojtarë.

– Sa shpresa ka Skënderbeu për kualifikim?

– Nëse Skënderbeu luan një ndeshje perfekte në aspektin mbrojtës në Çeki, ka shpresa të mëdha. Me sa jam informuar, kundër Kairatit mbrojtja ishte perfekte, me vetëm një gol të pësuar kundër Arshavinit me shokë. Në Çeki duhet një ndeshje më mbrojtëse, për të marrë një rezultat pozitiv, ose një humbje minimale, ndoshta duke shënuar një gol, sepse Mlada pëson gola, luan hapur. Pastaj në Korçë është tjetër histori, edhe Kairati e kuptoi. Do të jetë një sfidë e vështirë, por unë besoj realisht te kualifikimi i Skënderbeut.

– Me Shqipërinë, a i mban lidhjet, ke kontakte me njerëzit këtu?

– Mbaj kontakte me presidentin e Skënderbeut, me drejtorin sportiv Fakiç dhe me lojtarë të ndryshëm. Besoj se herët a vonë do të kthehem në Shqipëri, por vetëm për pushime, për momentin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *