Ofertat e shumta dhe më i rrezikshmi i Milanit, Ikardi: Nuk mund të largohesha

Mauro Ikardi është rikthyer të shënojë gola dhe të marrë Interin përdore. Të dielën luhet ndeshja më e rëndësishme për tifozët, me Interin që do të përballet me Milanin. Kapiteni i zikaltërve ka dhënë një intervistë për “Sky Sport 24”, ku flet për ndeshjen derbi dhe ekipin kundërshtar. Lojtari zbulon se ka patur oferta nga klube të ndryshme, por zgjodhi të qëndrojë në Milano, aty ku ndodhet si në shtëpinë e tij.

Kalendari i ekipit është i tmerrshëm, pasi tre ditë pas Milanit, vjen ndeshja me Barcelonën dhe pastaj Lacio. Sulmuesi argjentinas dëshiron t’i marrë ndeshjet me radhë, ndërsa nuk kursen fjalët e mira për Naingolan dhe Lautaro Martinez. Në fund, 25-vjeçari zbulon objektivin dhe ëndrrën e tij me ekipin e Interit.

QËNDRIMI – “Jam i lumtur që kam qëndruar këtu. Jam i lidhur me skuadrën, kam patur kontakte me klube të tjera, mund të largohesha, por zgjodha të qëndroj për veten time dhe familjen time. Këtu ndihem si në shtëpi dhe nuk mund të largohesha, Ëndërroja të luaja në Champions me Interin dhe nuk mund të largohesha, pasi e arritëm objektivin. Rinovimi? Nuk e di nëse do të vijë përpara Krishtlindjeve, por do të përpiqemi të gjejmë një marrëveshje.”

DERBI – “Ka pak tension. Vijmë nga një periudhë shumë e mirë dhe nuk donim të ndalej kampionati. Megjithatë, jemi në gjendje të përballemi në mënyrën më të mirë në derbi. E dimë që është ndeshje e qytetit dhe ajo që tifozët mezi presin. Kjo ndeshje vlen tre pikë, por gjëja më e rëndësishme është të luajmë një ndeshje të madhe për t’i dhënë vazhdimësi asaj çka kemi bërë.”

KUNDËRSHTARI – “Milan ka lojtarë të mëdhenj me eksperiencë në Serie A. Nëse do kisha mundësinë t’i hiqja një lojtar Gatuzos, do të zgjidhja Higuain. Ai shënon gola, po bën diferencën këtë vit dhe është një lojtar, i cili i mungonte Milanit prej kohësh. Nuk ka rivalitet midis nesh, ai është një sulmues i madh, ka zhvilluar një karrierë të madhe dhe ka shënuar shumë gol anë Spanjë dhe Itali.”

GOLASHËNUESI MË I MIRË – “Dua të jap kontributin tim duke shënuar gola. Vështirë ta thuash se kush do të shpallet golashënuesi më i mirë, të shohim në maj se kush ka shënuar më shumë gola midis meje, Higuain dhe Kristiano Ronaldos.”

KALENDARI – “Pas derbit përballemi me Barcelonën dhe Lacion. Janë ndeshje shumë të vështira, por jemi në gjendje të përballemi dhe të zhvillojmë ndeshje të mëdha. Nëse bëjmë mirë në këto ndeshje, do të na japë një dorë të mirë për të ardhmen e sezonit. Do luajmë për fitore kundër Milanit dhe Barcelonës. Kjo është puna jonë dhe duam t’u japim kënaqësi tifozëve tanë.”

EKIPI – “Ne kemi një ekip të shkëlqyer, kemi lojtarë të mëdhenj, po rritemi dhe blerjet e reja janë përshtatur mirë. Juventus e fiton kampionatin prej vitesh, janë përforcuar, kanë një bazë solide prej vitesh dhe kjo është forca e tyre.”

STILI I LOJËS – “Gjithmonë përpiqem të përmirësohem dhe të ndihmoj shokët e skuadrës. Punoj çdo ditë në stërvitje për të mirën e skuadrës, por kontributi im thelbësor është shënimi i golave. Luaj në Serie A prej 7-8 vitesh, kam luajtur gjithmonë kështu dhe nuk do të ndryshojë mënyra ime e të menduarit. I dëgjoj kritikat, marr pjesët që më ndihmojnë, por Ikardi që njihni do të mbetet gjithmonë i tillë.”

MARTINEZ – “Aktivizimi i tij është në dorë të trajnerit. Lautaro ndihet mirë, e kam ndihmuar dhe do të bëjmë mirë, nëse luajmë së bashku. Ai është i ri, ka kualitet, por ka dhe eksperiencë, sepse ka luajtur shumë në Argjentinë.”

NAINGOLAN – “Ndihemi mirë bashkë. Raxha është një mesfushor me cilësi dhe është më e thjeshtë të luash me lojtarë të këtij niveli. Ai i ka treguar vlerat e veta gjatë gjithë karrierës dhe sigurisht që do të përmirësohet ndeshje pas ndeshje.”

Ikardi gjatë periudhës kur ishte pjesë e Barcelonës

BARCELONA – “Nuk mendoj për ndeshjen me Barçën, është derbi dhe jam i përqendruar te Milani. Në Champions kemi bërë një nisje fantastike. Dy fitore në dy ndeshjet e para janë një avantazh i mirë për t’u përballur hapur me Barcelonën. Jemi një ekip i fortë dhe mund t’i bëjmë keq çdo skuadre. Duhet të jemi në kushtet më të mira para sfidës, edhe pse luajmë tre ditë pas derbit.”

ËNDRRA – “Është një ëndërr të përsërisim atë çfarë bëri Inter në vitin 2010, por nuk është një gjë që na kalon nëpër mendje. E dimë që duhet të bëjmë gjithmonë mirë dhe nëse ia dalim, do të shpërblehemi. Kështu ka ndodhur dhe në 2010, nuk mendoj se ai ekip kërkonte fitimin e tripletës, por bënë mirë dhe arritën të fitonin gjithçka. Objektivi im është të fitoj trofe me Interin.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *