Objektivat e Idrizit: Vlerësim fanellës dhe Kupat e Europës

Për administratorin e klubit vlonjat, skuadra nuk ka aspak presion, por Europa është mundësi: Kemi besim për një sezon ndryshe, pasi kemi punuar ndryshe

Elton Nika

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, si gjithmonë, nuk përcakton objektiva fikse për skuadrën e tij. Ai nuk ka kërkesa të veçanta apo objektiva të paarritshëm dhe asnjëherë nuk do që skuadra të jetë nën presion. Sipas tij, e rëndësishme është që Flamurtari të luajë futboll, lojtarët të respektojnë dhe vlerësojnë fanellën që mbajnë veshur, por edhe të sigurojnë një vend në Kupat e Europës. Kontigjenti i Flamurtarit ka pësuar shumë ndryshime këtë verë dhe me të gjitha lëvizjet është marrë vetë trajneri Shpëtim Duro, i cili ka sjellë shumë lojtarë me përvojë, mes tyre edhe disa nga kampionati maqedonas. Situata aktualisht është pozitive dhe pritet që sezonin e ri vlonjatët të shohin një Flamurtar ndryshe.

IDRIZI – “Nuk ka asnjë presion ndaj skuadrës, nuk kërkojmë të realizohen objektiva pa nisur sezoni, – thekson që në fillim të një prononcimi për “Sport Ekspres” administratori i Flamurtarit. – E kam shprehur edhe pak më parë se kjo skuadër më pëlqen. Trajnerit Shpëtim Duro i është lënë dorë e lirë të  punojë i qetë në merkato dhe mendoj se lëvizjet e kryera prej tij janë ato të duhurat. Kanë ardhur lojtarë mjaft cilësorë. Natyrisht, Kupat e Europës janë një mundësi, por ajo çfarë unë kam kërkuar dhe gjithmonë kërkoj nga skuadra, është respektimi i fanellës së Flamurtarit. Kjo ka më shumë rëndësi se gjithçka tjetër. Kemi afruar lojtarë, të cilët kanë eksperiencë dhe kanë bërë mirë në skuadrat, ku kanë luajtur. Nga informacionet që kam pasur apo kontaktet me trajnerin Duro, fryma në skuadër është mjaft pozitive dhe kjo është me shumë rëndësi. Flamurtari nuk e meriton atë çfarë ka përjetuar në dy sezonet e fundit, por duhet që gjithçka të ecë sipas ritmit të vet dhe mendoj se kemi vepruar mjaft mirë në ndërtimin e Flamurtarit për sezonin e ardhshëm. Siç e thashë edhe më lart, respektimi fanellës në fushë është diçka me shumë rëndësi dhe lojtarët duhet ta kenë kuptuar diçka të tillë. Nëse nuk respekton fanellën, atëherë asgjë nuk ka kuptim”.

SEZONI NDRYSHE – “Gjërat janë bërë ndryshe këtë verë dhe kjo na jep shumë kënaqësi këtë vit. Nuk duhet të ecim si vitet e kaluara, kur është thënë në nisje të sezonit se jemi një skuadër deri edhe për kampion, por pastaj e dini vetë si kanë shkuar gjërat. Kupat e Europës? Nuk e quaj një objektiv, që ne si drejtues i kemi vendosur skuadrës. Nuk ka presion, jo aspak, por mendoj se i kemi mundësitë për këtë gjë. Lojtarët e afruar janë cilësor dhe vetë trajneri pa dyshim e njeh mjaft mirë kampionatin, kështu që besojmë te kjo skuadër. Shpresojmë vetëm që çdo gjë të ecë siç duhet hap pas hapi. Megjithatë, ka ende kohë, kampionati do ende kohë të nisë, por besojmë të gjithë te ky Flamurtar”, e mbyll deklaratën e tij numri 1 i klubit vlonjat, Sinan Idrizi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *