Rexhinaldo e Ademir, të premten në Shqipëri

0

Sulmuesi ka mbyllur gjithë burokracitë dhe ka prerë biletën e avionit. E njëjta gjë edhe për brazilianin, që do të rikthehet te kurbinasit

Vladimir Prenga

Laçi i ka nisur përgatitjet që në fillim të muajit korrik, ndërkohë që nga skuadra janë larguar futbollistë të rëndësishëm, i fundit kapiteni Erjon Vucaj, që ka dalë lojtar i lirë. Sigurisht që për Laçin është një humbje e madhe, por drejtuesit po punojnë për të afruar një tjetër mesfushor qendror. Nga ana e klubit nuk bëhet me dije asnjë emër, por premtohet se shumë shpejt do të gjendet një zgjidhje. Për të mbetur te merkatoja, trajneri Nica tashmë do ta ketë mbrojtësin e djathtë në dispozicion, pasi klubi ka arritur marrëveshjen me brazilianin Ademir Riberio Souza, i cili ka provuar të luajë me kurbinasit në gjysmën e dytë të sezonit 2015-2016, kur erdhi i huazuar nga Skwnderbeu. Edhe asokohe Nica ishte në drejtim të ekipit dhe e njeh mirë brazilianin, i cili ka prerë biletën për të ardhur në Shqipëri ditën e premte. Ademir në Shqipëri u bë i njohur me korçarët duke fituar tre herë titullin kampion, ndërsa në Laç nuk mundi dot ta fitonte Kupën e Shqipërisë, pasi kurbinasit u mundën nga Kukësi në finale me penallti.

REXHINALDO – Sulmuesi nga Mozambiku e ka marrë vizën prej disa ditësh dhe tashmë pritet të fluturojë drejt Shqipërisë. Autori i tetë golave me Luftëtarin sezonin e shkuar mbërrin po të premten, ashtu si Ademir, dhe pritet të vihet menjëherë nën urdhrat e trajnerit Nica. 27-vjeçari pritet të jetë sulmuesi kryesor i kurbinasve dhe prej tij pritet shumë këtë sezon. Në repartin ku ai luan ka edhe disa alternativa të tjera, siç janë të rinjtë kurbinas Bushi e Xhixha, si dhe Jurgen Vatnikaj, i ardhur nga Partizani.

PËRGATITJET – Laçi sot do të vijojë përgatitjet intensive, teksa pritet që skuadra të grumbullohet sërish këtë javë. Shqetësim për stafin teknik mbeten lojtarët e dëmtuar, teksa siç dihet Lushkja ka pasur probleme dhe vetëm ditët e para të korrikut ka punuar me skuadrën. Të shtunën ai u stërvit i diferencuar në stadiumin e Krujës, ndërkohë që edhe Qaqi e Jonuzi e ndoqën ndeshjen nga bankina. Gjithashtu probleme ka pasur edhe Vatnikaj, që ka munguar në dy miqësoret e fundit që ka zhvilluar Laçi.

MIQËSORET – Rekord ndeshjesh miqësore ka regjistruar Laçi deri më tani, pasi ka zhvilluar shtatë të tilla prej kur ka nisur përgatitjet. E fundit u luajt me Kastriotin dhe u barazua me rezultatin 1-1. Bardhezinjtë u gjendën në disavantazh që në pjesën e parë, por qendërmbrojtësi Gjoni barazoi shifrat me një goditje me kokë pas harkimit perfekt të Bushit. Miqësorja e radhës, e teta, do të luhet të mërkurën në Fushë-Krujë me Ilirinë, një ekip me të cilin Laçi luan shpesh gjatë periudhave përgatitore.

 

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.