Stiven N’Zonzi u transferua në verë nga Sevilja te Roma dhe po shijon sezonin e parë në kampionatin italian. Mesfushori francez ka folur për “So Foot”, duke treguar objektivat e tij. Trofetë i ka shijuar me Seviljen, ndërsa u shpall dhe kampion bote me Francën në Rusi.
30-vjeçari ndalet dhe te kapiteni i tij, Daniele De Rosi. N’Zonzi ka mbetur i befasuar nga mesfushori italian dhe nuk i kursen elozhet për të, ndërkohë që Roma do të përballet sonte në “Olimpico” me Porton, në ndeshjen e parë të raundit të 1/16 të Champions Ligës.
DE ROSI – “Objektivi im primar është që të mos dëmtohem dhe të luaj në nivele të larta deri në moshën 33-vjeçare. Njeriu mëson në çdo moshë. Ju jap një shembull: Daniele De Rosin. Ai luan në një mënyrë shumë inteligjente. Ka eksperiencë, ka një prekje fantastike të topit dhe më ka ndihmuar shumë duke më shpjeguar detaje taktike në anglisht. Mbi të gjitha është një profesionist dhe ka kaluar gjithë karrierën e tij te Roma. Ka mijëra futbollistë, të cilët në postin e tij dhe pasi kanë dhënë shumë për një klub, do të stërviteshin duke ecur dhe nuk do të shkonin më në palestër. Por De Rosi, jo. Ai nuk vonohet kurrë, shkon në palestër dhe jep maksimumin gjithmonë në stërvitje. Është e pamundur të mos e admirosh.”
OBJEKTIVAT – “Objektivi tjetër që kam është të fitoj trofe, sepse nuk kam ngritur shumë në karrierë. Fitimi i trofeve me Seviljen ka ndryshuar perspektivën time. Në Angli luaja për t ndihmuar skuadrën, por kurrë për të fituar trofe. Një herë që shijon fitoren, bëhesh i vetëdijshëm për atë që ajo personifikon. Të fitosh është e vështirë dhe ndoshta nuk do ia dal të fitoj më trofe, por jam gati të përsëris përpjekjet e mëdha dhe orët e shumta përpara videove, siç bëja me Unai Emeri te Sevilja.”