Në dekadën e fundit gjithnjë e më shumë po flitet për tiki-takan e Barcelonës dhe stilin Guardiola.
Trajneri spanjoll e ka çuar Mançester Sitin në një nivel të pabesueshëm dhe në Champions League ka vendosur edhe një rekord të rrallë, me 1059 pasime brenda një ndeshjeje. Ndodhte në mars të këtij viti, në një ndeshje kundër Bazelit.
Deri tani vetëm Siti e kishte kaluar shifrën e 1000 pasimeve, por sot ia doli edhe Dortmundi.
Në barazimin aspak emocionues 0-0 kundër Bryzhit skuadra gjermane kreu 1001 pasime!
Nëse për Sitin, me një skuadër yjesh dhe me kosto të pabesueshme, një arritje e tillë është normale, për Dortmundin është diçka e pabesueshme, çka vërteton se kryesuesit aktualë të Bundesligës janë një kopje e skuadrave të Guardiolës kur bëhet fjalë për qarkullimin e topit.
REKORD EDHE PËR PISHÇEK – Mbrojtësi polak Lukas Pishçek do ta mbajë mend përjetë natën e sotme, sepse luajti ndeshjen e 45-të në Champions League me Dortmundin, si askush në histori. Në 45 ndeshje asnjë gol, kushedi ç’do ndodhë kur të shënojë…