“Nuk mbaj mend kur kam qenë kaq i lodhur sa sot”, Zekiç paralajmëron për “play off”-in: Astana është një nivel tjetër

Partizani është kualifikuar në fazën “play off“ të Ligës së Konferencës pas dy fitoreve të marra kundër Valmierës në turin e tretë kualifikues. Pas përfundimit të takimit, Zoran Zekiç ka dhënë përshtypjet e para për emisionin “Skaner” në “MCN TV”. Trajneri i “demave të kuq” shpjegon se mungesa e lojtarëve e  ka detyruar të improvizojë në lojë, ndërsa shton se niveli i Astanës do të jetë krejtësisht ndryshe nga ai i ndeshjeve që kanë zhvilluar deri më tani.

“Mendoj që kemi bërë gjëra të mira dhe jo të mira në këtë ndeshje. Në pjesën e parë kemi zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë, por duhet të shënonim edhe golin e dytë. Pjesa e dytë ka qenë tjetër gjë. Nuk kërkoj alibi, por duhet të flasim për faktin se kemi 15 javë që punojmë dhe disa lojtarë janë bashkuar me vonesë me grupin. Një tjetër pikë e rëndësishme është se përpara kësaj ndeshjeje nuk kisha gati 4-5 lojtarë.

Lojtarët e mi nuk kanë eksperiencën e duhur për të përballuar ndeshje të tilla në kompeticione të tilla europiane. Nuk mbaj mend kur kam qenë për herë të fundit kaq i lodhur sa sot. Por jam i kënaqur. Tani do të luajmë me Astanën dhe është një distancë shumë e madhe. Astana është një nivel tjetër nga çfarë u pa sot. Kam parë 3 ndeshje të Astanës dhe duhet të ketë vlerësimin maksimal”, ka deklaruar Zoran Zekiç./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *