Simon Rrumbullaku nuk është më një futbollisti i Kukësit. 27-vjeçari i përfundoi kontrata këtë verë dhe palët nuk gjetën akordin e rinovimit të saj.
27-vjeçari i lindur në Greqi ishte pjesë e nënkampionëve të Shqipërisë që prej janarit të vitit 2017. Mbrojtësi i majtë ishte një “piston” në krah dhe një ndër pikat më të forta të skuadrës që fitoi titullin kampion para dy vitesh.
Zyrtarizimi i ndarjes ka ardhur edhe nga vetë klubi i Kukësit me anë të një postimi në faqen zyrtare. Verilindorët pretendojnë se insistuan për rinovimin, por Rrumbullaku dëshironte të provonte një aventurë të re, ku me shumë mundësi do të rikthehet në Greqi.
“Marrëveshja mes klubit tonë dhe mbrojtësit të majtë ka përfunduar.
Pas disa negociatave mes drejtuesve të FK Kukësit dhe futbollistit për të zgjatur bashkëpunimin, ka qenë dëshira e mëngjarashit për të provuar një eksperiencë të re jashtë Shqipërisë.
27-vjeçari, i cili iu bashkua skuadrës sonë në merkaton e dimrit të sezonit futbollistik 2016 – 2017, arriti të fitonte titullin Kampion, Kupën e Shqipërisë si dhe Superkupën.
FK Kukësi falënderon Simo Rumbullakun për kontributin e dhënë me skuadrën tonë dhe i uron suksese në karrierë!”, përfundon reagimi i klubit kuksian.