Mirel Josa do të debutojë në pankinë ndaj Skënderbeut, ndërsa mori drejtimin e Laçit. Në një intervistë për “Supersport”, Josa ka thënë se gjithçka do të varet në bashkëpunimin me presidentin për të parë edhe vazhdimësinë. Gjithashtu tekniku i kurbinasve është shprehur se ekipi është aty dhe duhet të punohet vetëm në pjesën psikologjike për gjetjen e rezultateve pozitive.
“Në aspektin fizik nuk ka shumë për të bërë, ndërsa në aspektin psikologjik skuadra nuk ka pasur shumë rezultate të mira në kampionat, megjithatë fitorja e fundit me Krujën i ka bërë mirë ekipit. Gjeta përsëri një skuadër që vinte nga fitorja dhe duhet vazhdimësi, ndaj unë mendoj vetëm për ndeshjen e radhës. Luajmë një përballje të vështirë, pasi diferencat në Superiore janë shumë të vogla dhe duhet të jemi të përqendruar maksimalisht në çdo takim.
Nuk mund të flas për organikën, pasi do të punoj me futbollistët që kam në dispozicion, të cilët kanë shumë cilësi dhe duhet të rritim frymën e grupit. Do të mundohemi që të ndërtojmë një unitet, të cilin Laçi e ka pasur karakteristikë edhe në sezonet e kaluara. Unë i kam evidentuar këto gjëra edhe në emisionet televizive ku kam qenë, pasi Laçi është shquar për luftë sportive dhe këtë duhet të bëjmë edhe në të ardhmen. Por për të luftuar sportivisht, duhet edhe gjendje e mirë fizike, ndaj duhet të rregullojmë gjerat në lidhje me dyluftimet.
Nuk është se bëra shumë pushime pas sezonit të kaluar, ndaj tani jam këtu dhe dua të falënderoj drejtuesit e klubit, që më besuan, jam gati të bëj më të mirën, por shumë do të varet nga bashkëpunimi me presidentin, drejtuesit e futbollistët. Unë nuk qëndroj me të shkuarën, por mendoj se çfarë duhet të bëj në të ardhmen. Dua të falënderoj edhe paraardhësit e mi, për punën e mirë që kanë bërë me skuadrën dhe tani do të mundohemi të rikthehemi te rezultatet e duhura”, ka thënë Josa. /Sport Ekspres/